Me mesazhin “Dinjitet për pensionistët”, dhjetëra pensionistë janë duke qëndruar para Kuvendit të Kosovës.
Me pankarta dhe disa prej tyre me lule në dorë janë duke pritur deputetët, me ç’rast po kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Pensione.
Ditë më parë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kishte kërkuar mbështetjen e deputetëve të pozitës për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
Deputeti Shemsedin Dreshaj, në konferencë për media ka thënë se me këtë propozim parashihet të largohet neni diskriminues, i cili parasheh që çdo person të ketë të paktën 15 vite përvojë pune para vitit 1999 në mënyrë që të përfitojë pensionin kontribut-dhënës.
Dreshaj ka njoftuar që kjo nismë do të hidhet në votim në seancën plenare të së enjtes, duke kërkuar nga gjithë deputetët ta mbështesin.
“Me propozimin që ne kemi iniciuar, parashihet që pensionet kontribut-dhënëse t’i gëzojnë të gjithë pensionistët varësisht nga vitet që kanë punuar para datës 1 janar 1999. Siç e dini, kemi raste kur për një ditë, dikush që nuk ka arritur t’i bëjë 15 vite nuk e gëzon pensionin e merituar”, kishte thënë Dreshaj.
“I kërkojmë mbështetjen gjithë kolegëve deputetë që t’i japin mbështetje këtij Ligji”, ka përfunduar ai.