World Justice Project: Kosova e dyta në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit

“World Justice Project”, e ka ranguar Kosovën të dytën në botë sa i përket përmirësimit në fushën e sundimit të ligji për vitin 2022.

Në Indeksin vjetor të Sundimit të Ligjit “World Justice Project”, Kosova renditet e dyta kurse shteti i parë në këtë listë sipas kësaj organizate është Hondurasi.

Reklama e sponzorizuar

“Vendet me rënien më të madhe të sundimit të ligjit këtë vit janë Sudani, Mianmari, Haiti, Afganistani dhe Nikaragua. Vendet që përmirësuan rezultatin më të madh për sundimin e ligjit këtë vit janë Hondurasi, Kosova, Belize, Moldavia dhe Shtetet e Bashkuara”, thuhet në raportin e “World Justice Project”.

Tutje në indeksin e tyre thuhet se dy përmirësuesit kryesorë të këtij viti janë Kosova dhe Moldavia.

“Hondurasi, Belize dhe Shtetet e Bashkuara rifituan terrenin e humbur pas zgjedhjeve të fundit dhe ndryshimeve në administratë. Megjithatë, rezultati i Shteteve të Bashkuara mbetet nën nivelet e vitit 2020. Dy përmirësuesit e tjerë kryesorë këtë vit, Kosova dhe Moldavia, po kërkojnë në mënyrë aktive anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, në rrjete sociale ka shkruar se ka thënë se ky publikim do të thotë se po funksionojnë reformat e nisura nga ta në sistemin e drejtësisë.

“Këtë vit ‘World Justice Project’ e ka renditur sërish Republikën e Kosovës numër 1 në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit. Ajo gjithashtu e ka renditur Kosovën numër 2 në mbarë botën për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar. Konfirmim i pavarur se reformat tona po funksionojnë dhe po funksionojnë me shpejtësi”, ka shkruar Kurti.

Sipas publikimit të Indeksit, vendet që qëndrojnë më së keqi sa i përket përmirësimeve në sundimin e ligjit janë shtetet si: Sudani, Birmania, Haiti, Afganistani dhe Nikaragua.