Dy kompani kosovare të lidhura me deputet dhe ish-deputet të PDK-së, kanë “detyruar” kompaninë britanike “Fox Marble”, e cila operon në Kosovë tash e 7 vjet, që të ndërpres aktivitetin e saj në një gurore në komunën e Malishevës. Ne maj të këtij viti, “Fox Marble” ka blerë për 1.3 milion kompaninë e familjes së ish-deputetit të PDK-së Naim Rrustemi, “Green Power” dhe kompaninë “Scope” ku pronare janë Florie Rrustemi dhe Sadije Rama, e cila është bashkëshortja e bashkëpronarit të Mërgim Lushtakut.
Kompania britanike “Fox Marble Holding”, në maj të këtij viti kishte blerë kompanitë ” Green Power” dhe “Scope shpk” për shumën 1.3 milion euro.
“Green Power”, zyrtarisht në ARKB figuron në emër të bashkëshortes së ish-deputetit Naim Rrustemi, Florije Rrustemi. Ish-deputeti Rrustemi, deri në mars të këtij viti ka qenë i punësuar në kompaninë “Fox Marble” si drejtor menaxhues për Kosovë. Kurse “Scope” është në bashkëpronësi të Florije Rrustemit dhe Sadije Ramës, që është gruaja e Ilir Ramës, i cili është në bashkëpronësi me deputetin e PDK-së, Mergim Lushtaku, në kompaninë “AIM”, shkruan Insajderi.
Pikërisht kompania e familjes Rrustemi, prej muajit maj, ka sfiduar marrëveshjen e shitjes së aksioneve të kompanisë. Ndërkohë që “Fox Marble” beson se pretendimet e tyre janë “tërësisht të pabazuara”, shkruajnë mediat britanike.
Kjo “mosmarrëveshje” mes tyre ka bërë që “Fox Marble” të ndërpres punimet në një gurore në komunën e Malishevës, shkruan Insajderi.
Kompania britanike e cila tash e shtatë vjet vepron në Kosovë në nxjerrjen e mermerit dhe granitit në Kosovë, ishte vizituar para disa muajve nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Ai pati deklaruar se “Fox Marble” nga Kosova është kompania e parë e regjistruar në bursën e Londrës nga viti 2012 dhe operon edhe me ekspertizë të jashtme. /Insajderi.com