A e ka arritur inflacioni më në fund pikun e tij?

Mund të ketë filluar viti i ri, por për investitorët, konsumatorët dhe Rezervën Federale, inflacioni vazhdon të mbetet një shqetësim i madh ekonomik, ashtu siç ishte në vitin 2022.

Duke pasur këtë parasysh, Wall Street do të shqyrtojë intensivisht të dhënat nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit për muajin dhjetor, të cilat do të publikohen të enjten. Të gjithë shpresojnë se ritmi i rritjes së çmimeve do të vazhdojë të ngadalësohet.

Çmimet e konsumit u rritën me 7.1% në muajin nëntor krahasuar me vitin e kaluar. Kjo shifër mbetet ndër më të lartat historike, por gjithsesi shënon një rënie të dukshme nga rritja e çmimeve prej 9.1% që u arrit në qershor. Ajo ishte gjithashtu rritja më e vogël që nga shifra vjetore prej 7% për çmimet e dhjetorit të vitit 2021.

Reklama e sponzorizuar

Shpresohet që presionet inflacioniste të lehtësohen akoma më shumë përgjatë këtij viti. Është ndoshta e ekzagjeruar nëse do të prisnim që rritjet e çmimeve të bien së shpejti në nivelin vjetor 2% deri në 3%, i cili synohet nga Fed. Por, për sa kohë që Indeksi i Çmimeve të Konsumit vazhdon të bjerë, tregu me siguri që do të jetë i lumtur.

“Inflacioni do të vazhdojë të reduktohet. Ne besojmë se ai arriti pikun e vet në qershor,” tha në një raport Nancy Tengler, drejtuese ekzekutive dhe shefe e investimeve në Laffer Tengler Investments.

Tengler shtoi se “rritja dhe rënia e inflacionit është kryesisht simetrike. U deshën 16 muaj për të arritur pikun e inflacionit dhe tani besojmë se do të duhet e njëjta periudhë kohore për të arritur në një nivel të tolerueshëm.”

Çdo ngadalësim i mëtejshëm i ritmit të inflacionit do të ishte një lajm i mirë për të gjithë njerëzit, por edhe për bizneset. Kjo për shkak se fitimet duhet të rriten ndërkohë që shpenzimet për mallrat janë në rënie.

“Pas një viti me inflacion të lartë, ne presim që faktorët të cilët ulin presionet inflacioniste të shtohen pasi kompanitë të fillojnë të shohin deflacion në kostot e inputeve. Marzhet e fitimit ka të ngjarë të jenë më të mira sesa pret tregu i përgjithshëm, “tha Brett Ewing, kryestrateg për tregjet në First Franklin./CNN/

Monitor