Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me ngritjen e çmimit të tatimit në pronë, duke e cilësuar si goditje ndaj financave të qytetarëve.
Sipas tij, jetesa e qytetarëve edhe ashtu është vështirësuar nga rritja e çmimeve.
“Fatura e tatimit në pronë për vitin 2023 është shumëfishuar me një ndërhyrje të Ministrisë së Financave. Jetesa e qytetarëve është vështirësuar nga rritja e çmimeve. Përkundër këtyre fakteve të dukshme nuk kishte asnjë veprim nga Qeveria e Kosovës për frenuar inflacionin dhe për të lehtësuar jetën e qytetarëve”, ka shkruar i pari i AAK-së në Facebook.
Ai tutje ka thënë se me dhunë e përmes ligjit, financat e qytetarëve po barten nga xhepi i tyre në arkën e shtetit.
“Ky veprim është edhe një goditje ndaj financave të qytetarëve. Me dhunë e përmes ligjit, financat e qytetarëve po barten nga xhepi i tyre në arkën e shtetit dhe në fund as nuk shpenzohet buxheti dhe as nuk mbështetet qytetari i Kosovës”.
“Mirë po e gënjen popullin. I mirë është edhe në veprime që janë në kundërshtim me premtimet dhe me Republikën e Kosovës. Por, durimi ka kufi! Mjaft!”, ka përfunduar Haradinaj.