Shtëpitë për serbët e kthyer në Kosovë rrinë të zbrazëta, ose shiten

 Procesi i kthimit të serbëve në Kosovë vazhdon tash 20 vjet.

Në të janë investuar shumë para për ndërtimin e rindërtimin e shtëpive të serbëve të zhvendosur, por kjo me gjasë nuk ishte e mjaftueshme, meqë shumë nga shtëpitë janë të zbrazëta, ndërsa fshatrat për të kthyer pa njerëz, tha RTK2 në gjuhën serbe.

Sipas servisit publik në territorin e komunës së Klinës janë 250 serbë banorë të përhershëm, ndonëse në dokumentet komunale të Zyrës për kthim figuron numri 1.500 vetash, transmeton Koha.net.

Reklama e sponzorizuar

Drejtoresha e Zyrës për Komunitete në Komunën e Klinës, Silvija Rashkoviq, thotë se njerëzit paraqesin gjithë familjen për kthim, ndonëse situata në terren është ndryshe.

“Banorë të përhershëm janë 260 serbë, ndërsa gjatë periudhës verore janë rreth 400”, e citon RTK2 Rashkoviqn, sipas të cilës trendi i i kthimit dhe i largimit të sërishëm vazhdon, ndërsa arsye kryesore për këtë është pamundësia për punësimin e njerëzve të rinj.

Rashkoviq konfirmon se shumë shtëpi të ndërtuara për kthim në territorin e komunës së Klinës janë të zbrazëta.

“Disa kanë vdekur, të rinjtë nuk mund të gjejnë punë, sepse nuk ka punë as për shqiptarët dhe lëre më të punësohet ndonjë serb”, thotë Rashkoviq.

Bozhidar Sharkoviqi është kthyer në Videjë të Klinës më 2009, ndërsa sipas fjalëve të saj ky fshat është nga të rrallët ku kthimi ka qenë i suksesshëm. Ai konsideron se Ministria për Komunitete e Kthim e Kosovës, përmes të cilës zhvillohet procesi i kthimit, do të duhej që me projekte më të mëdha dhe me bashkim mjetesh të mbështeten të kthyerit.

“Vetë granti 2.500 eurosh nuk do të thotë gjë, njerëzit këtë e shesin për të kthyer borxhet. Familjet duhet të lidhen me grante më të mëdha dhe përmes bashkimit të mjeteve, që tri-katër familje të marrin 100 mijë euro dhe që të hapet ndonjë uzinë”, thotë Sharkoviq.

Sipas disa të dhëna të Zyrës për Komunitete, në komunën e Istogut jetojnë rreth 800 serbë, por nuk konfirmohet nëse ata jetojnë aty vazhdimisht.

Lubomir Milkoviq nga Dragolevc të Ulët të komunës së Istogut është kthyer më 2015, i cili RTK2 i ka thënë se ka fshatra ku shtëpitë janë rregulluar, por askush nuk jeton në to.

Si shembull ai përmend Dragolevcin e Epërm fqinj, ku janë ndërtuar 60 shtëpi, ndërsa aty jetojnë vetëm 6 persona.

“Janë disa njerëz që kthehen vetëm sa për grante që i marrin të kthyerit dhe e keqja më e madhe është se grantet u jepen të tillëve dhe jo atyre që njëmend jetojnë aty”, është shprehur Milkoviq.

Edhe në lokalitetet e tjera për të kthyer në Kosovë, siç është Bablaku e Babushi në Ferizaj, dhe Opterushë te Rahoveci, janë ndërtuar shtëpi në të cilat thuaja nuk jeton askush.

RTK2 në gjuhën serbe thotë se nga Ministria për Komunitete dhe Kthim nuk ka mundur të marrë përgjigje në temën e kthimit të qëndrueshëm dhe keqpërdorimin e granteve për kthim.