Kapaciteti solar i paraparë në Kramovik të Rahovecit, nuk i përket investimeve strategjike

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë raportimit për punën e ministrisë në Komisionin për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës, gjatë vitit 2022 dhe planin e punës për vitin 2023, ka sqaruar se kapaciteti i energjisë solare, që pritet të lansohet së shpejti në Kramovik të Rahovecit, me fuqi 100 megavatësh, nuk i përket investimeve strategjike, por është projekti i ri, ankand i parë për energji.

Buletini Ekonomik

Projekti i energjisë alternative, më saktësisht, kapaciteti i energjisë solare, që pritet të lansohet së shpejti në Kramovik të Rahovecit, me fuqi 100 megavatësh, nuk i përket investimeve strategjike, por është projekti i ri, ankand i parë për energji. Kështu ka sqaruar këto ditë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë raportimit për punën e Ministrisë në Komisionin për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës, gjatë vitit 2022 dhe planin e punës për vitin 2023.

Ministrja Rizvanolli, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Ferat Shala lidhur me projektin e energjisë alternative në Rahovec, gjegjësisht nëse është project i investimeve strategjike apo projekt tjetër, ministrja Rizvanolli tha se ky projekt nuk i përket investimeve strategjike, por është projekti i ri, ankand i parë për energji.

Reklama e sponzorizuar

“Është proces i hapur konkurues dhe kemi zgjedhur tokën publike në mënyrë që kosotoja e projektit të jetë më e ulët dhe rrjedhimisht edhe kostoja e energjisë të jetë më e ulët”, ka thënë ministrja Rizvanolli, duke shtuar se “te ky projekt nuk ka të bëjë studimi gjeofizik, që është bërë në të kaluarën”.

Siç dihet tashmë, ky projekt i ri, që do të jetë ankandi i parë për një kapacitet të energjisë solare në Kosovë, siç është thënë nga autoritetet kosovare, pritet të lansohet së shpejti, do të ketë fuqinë 100 MË. Kramoviku i Komunës së Rahovecit është përzgjedhur si vend për organizimin e ankandit të parë për projekte të gjenerimit të energjisë elektrike nga burimet fotovoltaike. Lokacioni i përzgjedhur tashmë po përfshihet edhe në Planin Zhvillimor Lokal të komunës, si vend me potencial për vendosjen e gjeneratorëve fotovoltaikë.

“Këto ditë me mbështetjen e ekipit të Tetra Tech, është përzgjedhur toka publike në Kramovik të Komunës së Rahovecit, që do të përdoret për ankandin e parë fotovoltaik”, ka njoftuar Besiana Qorraj Berisha, zyrtare e lartë për burime të ripërtëritshme të energjisë në Ministrinë e Ekonomisë, nëpërmjet një postimi të shpërndarë në rrjetet sociale.

Për këtë projekt u fol më detajisht kohë më parë gjatë diskutimit publik mbi planin zhvillimor komunal të komunës së Rahovecit për vitet 2022-2031. Lokacioni tashmë do të përfshihet në planin zhvillimor të komunës, në cilësinë e lokacionit me potencial të lartë në zhvillimin e kapaciteteve prodhuese energjetike nga burimet solare.

Siç dihet, ministrja Artane Rizvanolli ka ripërsëritur së fundmi se qeveria mëton të sjellë procese konkurruese dhe transparente të ankandeve për zhvillim të projekteve të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, në të cilat mund të aplikojnë investitorët e interesuar.

“Ne kemi thënë që nga dita e parë që investitorët do të konkurojnë në ankande, në mënyrë transparente. Çmimi më i lirë do të fitojë dhe ne do ta blejmë atë energji për konsumatorët tonë. Ankandin e parë do ta lansojmë sivjet në dhjetor për energji solare, ndërsa për energji të erës, ankandin do ta lansojmë vitin tjetër”, ka thënë ministrja Rizvanolli.

Ministrja ka thënë se ankandi i parë për burime solare do të bëhet për 100 megavat orë kapacitete, ndërsa kapacitete të njëjta pritet të ndahen edhe për burimet e erës. Ministrja Rizvanolli, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës, duke folur edhe për burimet e energjisë së ripërtritshme, vuri në dukje se “duke parë reformat që po ndërmerren në BE, është vendosur që “t’i qasemi me kujdes që të mos i përsërisim gabimet e vendeve evropiane në zbatimin e energjisë së ripërtëritshme”, prandaj, tha ajo, “kemi shtyrë miratimin e plani strategjik në këtë fushë”.

Sipas saj, projektet kapitale, ato të rëndësishmet, duhet realizuar mirë e jo dosido.

“Projektet që fillojnë e mbarojnë brenda një viti, janë shumë të rralla dhe shumë të vogla”, deklaroi Rizvanolli.

Në anën tjetër, deputetë opozitarë në vazhdimësi akuzojnë qeverinë aktuale për neglizhencë, ngecje, madje edhe për bllokime të realizimit të synimeve dhe projekteve energjetike, sidomos të energjisë së rinovueshme. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, jo një herë ka ngritur shqetësimin, siç ka thënë ai “për bllokimin e projekteve të mëdha në fushën e energjisë”.

Shala, qoftë me angazhimet e tij në Kuvendin e Kosovës, qoftë me postimet të ndryshme në rrjetet sociale, ka akuzuar shumëherë qeverinë Kurti “për bllokimet të ndryshme”.

“Që nga ardhja e VV-së në pushtet vërehet tendenca bllokuese ndaj çdo projekti të investimit në energji të ripërtritshme. Edhe pse si shtet, jemi të ballafaquar me mungesë të kapaciteteve prodhuese dhe sistemit të vjetërsuar, kjo nuk e ka zmbrapsur partinë në pushtet që të pengoj dhe bllokoj çdo lloj investimi në energji e sidomos në energji të pastër”, ka thënë Shala kohë më parë nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale. Shala, madje ka përmendur me emra gjashtë projekte, sipas tij, të investitorëve privatë për energjinë e rinovueshme të bllokuara nga autoritet qeveritare aktuale.

”Vetëm përmes ligjit për investime strategjike, kanë qenë 6 (gjashtë) projekte të përgatitura nga investitorët privatë për investim në energji të ripërtëritshme, dhe atë në total investimi për këto projekte të ndryshme ishte paraparë të jetë 775.7 milionë euro dhe do të prodhoheshin 684.9 MW/h” tha Shala, por që sipas tij, kjo Qeveri  zgjodhi sërish rrugën e bllokimit të këtyre projekteve. /Buletini Ekonomik/