‘Rënia’ e papunësisë në Kosovë, pasojë e emigrimit të popullsisë

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në Kosovë në tremujorin e parë të vitit 2022 ishte 16.6%, që njëherësh sipas ekonomistit Edison Jakurtit, shënon normën më të ulët të papunësisë në Kosovën e pasluftës.

Sipas Jakurtit, në tremujorin e parë të vitit 2022, në Kosovë ishin rreth 47 mijë të papunësuar më pak dhe rreth 29 mijë të punësuar më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2021. Pra, dallimi është rreth 18 mijë.

Reklama e sponzorizuar

Mirëpo, çfarë ka ndodhur me ta? Janë bërë joaktiv?

Jakurti thotë se të njëjtit nuk janë bërë joaktiv, sepse numri i personave joaktiv në tregun e punës është zvogëluar (rreth 1.6 mijë), e gjithashtu edhe ai i atyre aktiv (rreth 18 mijë). Tutje, edhe numri i të pensionuarve është zvogëluar (rreth 8.8 mijë), dhe, gjithashtu, numri i popullsisë është zvogëluar (rreth 24 mijë).

Pra, shpjegimi i vetëm racional, duke përjashtuar ndonjë inxhiniering me të dhënat nga ASK, Jakurti thotë se është emigrimi. Kështu, brenda një viti, rreth 60% e zvogëlimit të papunësisë i atribuohet punësimit dhe rreth 40% i atribuohet emigrimit.

“Thënë ndryshe: nga 10 të papunësuar që iu ka ndërruar statusi në tregun e punës gjatë vitit, 6 janë punësuar dhe 4 e kanë lëshuar Kosovën”, ka shkruar ekonomisti Jakurti në një postim në facebook.

Sipas tij, nëse ky trend vazhdon, në një periudhë afatshkurtër, do të ketë implikime serioze jo veç për tregun e punës por për tërë ekonominë. /Buletini Ekonomik/