Punëtorët e Telekomit të Kosovës po e vazhdojnë grevën për të kundërshtuar vazhdimin e kontratës me kompaninë Z-Mobile të udhëhequr nga Blerim Devolli, raporton T7.
Kryetari i Sindikatës, Lamih Balaj pas një takimi që pati me bordin dhe menaxhmentin ka bërë të ditur para mediave se kontrata me Z-Mobile nuk do të vazhdohet.
“Unë sapo dola nga një takim me bordin dhe menaxhmentin. Ajo që ka dalë në media është zyrtare. Është nënshkruar nga bordi. Është shkresë zyrtare që i jep të drejtë ekskluzive shefit ekzekutiv, që me i marrë të gjitha vendimet sipas rregullores dhe ligjit. Për të gjitha këto jemi dakorduar që bordi dhe menaxhmenti kanë me thirrë konferencë zyrtare në ora 16 në një konferencë për media. Ata kanë me dhanë lajmin përfundimtarë në ora 16: 00”, ka thënë Balaj, raporton T7.
Sipas tij, vendimi që ka dalë në media është dokument zyrtar i Bordit të Telekomit të Kosovës.
“Bordi duhet me dalë dhe me e konfirmu atë se e kanë për obligim( Shkëputjen e kontratës me Z mobile). Ne jemi dakordu që ata me dalë në konferencë për media në 16:00 Por me një fjalë muj me thanë që Telekomit po i vijnë ditë të mira. Ne jemi në grevë deri në vendimin përfundimtar, nëse është vendimi i mirë nuk po besoj që do të ketë nevojë që vazhdojmë me grevë. Por muj me thanë me ni fjalë që Telekomit po i vijnë ditë të mira”, ka thënë ai.