“Bashkimi i qytetit të Ferizajt” – projekti pa kosto përfundimtare

Cilësimi i projektit të bashkimit të qytetit të Ferizajt si “shkatërrim i qytetit”, nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, dy ditë më parë, ka nxitur reagimin e drejtorit të Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.

I cilësuar si projekti më kapital nga ana e qeverisjes aktuale, ky projekt është kritikuar përveç nga VV-ja edhe nga subjekti më i madh opozitar LDK-ja.

Por drejtori Bytyqi në një postim në rrjetin social Facebook, ka thënë se tashmë 60 për qind e tij është realizuar, shkruan sot Koha Ditore.

Reklama e sponzorizuar

“Projekti “Bashkimi i qytetit” është një nga projektet më të mëdha që ndonjëherë janë realizuar në Ferizaj. Projekti është implementuar mbi 60%, dilni more në terren shikoni si duket projekti, është realitet, mundeni me prek e me pa, e mos boni politika në sallë të Kuvendit, vetëm 100m prej aty e keni projektin”, ka shkruar Bytyqi.

Ai ka thënë se trendi i projekteve do të vazhdojë. “E di që ende nuk kemi arritur me cilësinë e punimeve targetin tonë, por jemi të vendosur që të mos tolerojmë asgjë në këtë aspekt, kemi dhënë mbi 20 vërejtje me shkrim për operator ekonomik për punë jocilësore, dhe do të vazhdojmë deri në arritjen e targetit tonë për punë cilësor”, ka thënë Bytyqi në mesazhin drejtuar VV-së. Reagimin e këtij subjekti e ka cilësuar politik.