Shtetasit e Kosovës, janë të parët në rajon, që duan më shumë se të gjithë që të jetojnë e punojnë jashtë vendit, me gjithsej 57% të të anketuarve që e kanë dhënë këtë përgjigje. Në vend të dytë radhiten shtetasit e Shqipërsisë, ku 49% e të anketuarve do të merrnin në konsideratë që të jetonin dhe të punonin jashtë vendit. Trendet alarmuese të braktisjes së Kosovës nga të gjitha shtresat dhe të gjitha profesionet, ndër to edhe të profesioneve deficitare. Ç’thonë statistikat për “hemoragjinë” e ikjes së kosovarëve nga vendi i tyre?
Buletini Ekonomik
Rezultatet e pubikuara nga Barometri Ballkanik – sondazhit vjetor (të realizuar për të nëntën herë radhazi, nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal) janë shqetësuese, edhe trishtuese dhe të dhimbshme për shqiptarët në të dy vendet e tyre (në Kosovë dhe në Shqipëri).
Shqiptarët e Kosovës, dhe ata të Shqipërisë dëshmohen rekordmenë në dëshirat për të ikur nga vendet e tyre. Sondazhi, tashmë tradicional i përvitshëm, është realizuar me gjashtë mijë qytetarë nga i gjithë Ballkani Perëndimor, duke dhënë një pasqyrë mbi opinionet e tyre rreth bashkëpunimit rajonal, integrimit në BE, besimit tek institucionet publike dhe media, shqetësimet e tyre më të mëdha, punësimi, ndryshimet klimatike, siguria, jeta digjitale, transporti, sundimi i ligjit, udhëtimet, etj. Dhe duke parë rezultatet e këtij sondazhi del që, si shtetasit e Shqipërisë ashtu dhe ata të Kosovës e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit: 49% e të anketuarve nga Shqipëria do të merrnin në konsideratë që të jetonin dhe të punonin jashtë vendit.
Kjo përqindje është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin e mëparshëm, kur treguesi ishte 42%. Ndërsa, shtetasit e Kosovës, janë rekordmenë ndër rekordmenët, pasi që janë ata që duan më shumë se të gjithë që të jetojnë e punojnë jashtë vendit, me 57% të të anketuarve që e kanë dhënë këtë përgjigje (tek kosovarët vërehet një përmirësim i papërfillshëm në krahasim me rezultatet e 2022-shit, gjegjësisht me 2 pikë përqindje (nga 59% në 2022).
Sipas po këtij sondazhi, del që shtetasit që mendojnë të lëvizin më pak, janë ata të Maqedonisë së Veriut, 35%, Bosnjë dhe Hercegovinës, 38%, Serbisë 41%, Malit të Zi 45%. Mesatarja e Ballkanit Perëndimor është 44%. Kosova dhe Shqipëria siç po shihet, janë ndjeshëm mbi mesataren e Ballkanit sa i përket dëshirave për të jetuar dhe për të punuar jashtë vendit.
Sipas njoftimit për shtyp, Barometri Ballkanik zbulon 3 tendencat kryesore të opinionit publik në Ballkanin Perëndimor. Së pari, lajmi i mirë, 76% e njerëzve besojnë se bashkëpunimi rajonal është i mirë për zhvillimin e ekonomive të tyre. Për më tepër, 69% janë dakord se ajo që i bashkon qytetarët e Ballkanit Perëndimor është më e rëndësishme se ajo që i ndan ata. Lajmi i dytë, mbështetja për integrimin në BE: rezulton 59% ose 3% më pak se në 2021. Dhe i treti është shqetësimi mbi shpopullimin, pasi 44% mendojnë të jetojnë jashtë vendit, 5% më shumë se në 2022.
“Është gjithashtu jashtëzakonisht shqetësuese se 71% e të rinjve po mendojnë të largohen nga vendi i tyre”, tha Sekretarja e Përgjithshme e RÇ, Majlinda Bregu, trasmetojnë mediet shqiptare.
Rezultatet kryesore të këtij sondazhi të barometrit Ballkanik 2023 janë: 1 në 5 qytetarë e lidh Ballkanin me shpresë ose bashkëpunim; Për 15% të qytetarëve, Ballkani do të thotë besim, por për 1 në 10, do të thotë frikë; 51% janë të pakënaqur me situatën ekonomike; 27% thonë se korrupsioni është problemi më i madh; 69% thonë se ligji nuk zbatohet për të gjithë në mënyrë të barabartë – 7% më shumë se në 2022; 45% ndihen të kërcënuar nga mbajtja dhe keqpërdorimi i paligjshëm i armëve; 71% thonë se lufta në Ukrainë ndikoi ndjeshëm në fuqinë e tyre blerëse; 75% nuk u besojnë partive politike dhe 65% shprehën një shqetësim të shtuar në lidhje me përhapjen e lajmeve të rreme.
Përtej parashikimeve nihiliste të këtij sondazhi, ikja e kosovarëve, tani e sa vite me radhë, është problem gjithnjë e më i rënduar, me pasoja evidente, për shkak se ka kohë që Kosova po braktiset nga të gjitha shtresat dhe të gjitha profesionet, edhe nga ata, profesionet e të cilëve janë shumë deficitare, siç janë mjekët, inxhinierët e shumë drejtimeve, arkitektët dhe njohësit e mirë të teknologjisë informative.
Pesimistët, edhe përfaqësues të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, për shkak të ikjes goxha masovike, sidomos pas liberalizimit evident të konsitave për të marrë viza në akcilin shtet të Evropës Perëndimore, madje parashohin të ardhme të zymtë për Kosovën nga pasojat e ‘hemoragjisë” së ikjes.
Sipas tyre, trendi i braktisjes së vendit nga kosovarët është në rritje masive dhe se nëse vazhdon kështu, Kosova në 10 vitet e ardhshme do të ketë popullsi më të vogël se Mali i Zi. Deputeti i LDK-së, kohë më parë në në Parlamentin e vendit kishte prezantuar disa të dhëna, sipas së cilave, në 10 vitet e fundit nga Kosova kanë ikur 30 për qind e popullsisë. “Para neve po ndodh një proces që ka filluar të marr përmasa e një eksodi masiv, të ikjes së njerëzve nga Kosova. Të dhënat që i kam siguruar janë të tmerrshme. Kjo nxjerr konkluzionin që fatkeqësisht një numër i madh i njerëzve nuk e projektojnë më jetën në Kosovë. Fshatrat po zbrazen, shkollat po boshatisen, shtëpitë po mbyllen. Vetëm në Ambasadën gjermane për një vit 105 mijë qytetarë kanë aplikuar për vizë gjatë vitit 2022. Në Ambasadën zvicerane 38 mijë e 341 aplikues për vizë dhe nga ta 34 mijë prej tyre janë pajisur me vizë”, deklaroi deputeti i LDK-së me këtë rast .
“Po flas me shifra zyrtare, rreth 800 mjekë dhe infermierë për katër vite e kanë lëshuar Kosovën. Ministri i Financave në një nga mbledhjet ku po raportonte në Komisionin për Buxhet thoshte se mjekët janë të lirë ta lëshojnë Kosovën. Brenda 10 viteve nga Kosova është larguar 30 për qind e popullatës, apo 529 mijë e 647 qytetarë. Trendi është në rritje masive. Nëse vazhdojmë me këtë trend, për 10 vitet e ardhshme do të mbesim me popullatë më pak se Mali i Zi” theksonte ai para deputetëve.
Dhe, tredi i ikjes së kosovarëve është i vrullshëm, sado që duhet thënë, se mungojnë të dhënat më të sakta rreth këtij problemi. Agjencia e Statistikave të Kosovës, sot e kësaj ditë, nuk ka arritur të bëjë të dhëna më të sakta të ikjes së kosovarëve. ASK-ja, pra, nuk arriti kurrë të ketë të dhëna, së paku siç kanë institucionet e shteteve normale, por edhe të atyre të rajonit për “ikanakët’. Por, njohësit e këtyre zhvillimeve, nuk prajnë së alarmuari për braktisjen e vendit nga shumë njerëz, ndër të cilët ka edhe shumë profesonistë deficitarë, që kaq shumë i nevojiten Kosovës dhe që për aftësimin profesionist, arsimimin e tyre, Kosova investoi shumë mund dhe para.
633 infermierë kanë braktisur Kosovën gjatë vitit 2022 apo 493 më shumë se në vitin 2021, ku numri i infermierëve që ishin larguar ishte 140.
Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naim Rrustemi ka treguar në një televizion të vendit kohë më parë, pse po ndodhë kjo ikje dhe për problemet që shkaktohen në institucionet shëndetësore të vendit nga kjo.
“Ikja e infermierëve po flas në krahasim me vitin 2021 është diku 6 fish ose 7 më e madhe. Deri në fund të 2022 kanë qenë 633 infermierë që tek ne i identifikojmë. Në momentin që vjen dhe kërkon një vërtetim nëse ka shkelje të kodit etik dhe e merr një licencë e cila duhet të jetë e pa plastifikuar, ne vetëm në bazë të tyre e dimë saktë se këta po na shkojnë jashtë dhe për këtë arsye ky numër mund të jetë shumëfish më i madh. Për ne si odë është shqetësuese ikja e infermierëve sepse vetëm Gjermania kërkon diku 70 mijë infermierë dhe çka nëse vetëm Gjermania e bën një marrëveshje me institucione dhe i merr këta infermierë. Ku do të mbeten institucionet tona, qoftë ato shtetërore apo private dhe kjo ka qenë një brengë mjaftë e madhe sa i përket ne dhe apeli ka qenë gjithmonë tek ata të cilët bëjnë politika qoftë Ministria e Shëndetësisë qoftë edhe vetë Qeveria pasi që me të vërtetë është shqetësuese ikja e këtyre personalëve shëndetësore. Aq më keq, kemi infermierë të cilët 20 vite punojnë në profile të caktuara, siç është për shembull teknik të anestezionit që punojnë në kujdesin intensive” kishte alarmuar ai.
Në këto vite të fundit del të jetë shqetësues edhe numri i madh i kosovarëve që kanë hequr dorë nga shtetësia e tyre. Brenda 11 muajve të 2022-tës, nga shtetësia e Kosovës janë liruar gjithsej 4 mijë e 423 persona. Kurse, për 2 vitet e fundit nga shtetësia e Republikës së Kosovës kanë hequr dorë 9 mijë e 361 persona.
“Në vitin 2021, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar gjithsej 4,938 persona. Gjatë periudhës 01.01.2022-30.11.2022, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar gjithsej 4,423 persona.”, kanë bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas kësaj ministrie, arsyet më të shpeshta të heqjes dorë nga nënshtetësia e RKS-së është pikërisht marrja e asaj të shteteve të BE-së.
“Arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dyshtetësinë përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian”.
Nga departamenti për shtetësi, azil dhe migracion në MPB kanë treguar se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ka pasur një trend të njëjtë të personave që kanë hequr dorë nga shtetësia. Sipas tyre gjeneratat e reja janë ato që kryesisht kërkojnë të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës, ndërsa trendi i braktisjes së shtetësisë nga të rinjtë kosovarë po vazhdon në përmasa , pak a shumë të njëjta. /Buletini Ekonomik/











