Kosova ka vazhduar këto ditë të furnizohet me energjinë e prodhuar vetëm nga dy blloqet e termocentraleve Kosova A (A3 dhe A5) dhe me energjinë e siguruar me import nga KEK-u. Sipas zyrtarëve të KEK-ut, pritet që blloku B2 i Kosovës B, të aftësohet dhe të rikthehet në prodhim diku rrth orëve të vonshme të natës.
Buletini Ekonomik
Edhe sot, deri në orët e vona të mbrëmjes, Kosova vazhdon të furnizohet me energjinë e prodhuar vetëm nga dy blloqet e termocentraleve Kosova A (A3 dhe A5) dhe me energjinë e siguruar me import nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Kjo gjendje është e kushtëzuar dhe rrjedhojë e rënies së paplanifikuar të njësisë B2 të termocentraleve Kosova B, si pasojë e rrjedhjeve në kalldajë.
Rënia e bllokut B2 ka ndodhur dje (më 10 gusht 2023), në orët e hershme, ndërsa, siç dihet, B1-shi ka kohë që ndodhet në remont të planifikuar (riparim i detajuar i turbinës), punë këto që sipas parashikimeve, do të zgjasin rreth 3 muaj. Po kaq kohë, kanë zgjatur edhe punët rreth modernizimit të turbinës së bllokut B2, që akoma në këto orë, gjendet jashtë operimit, për shkak të rrjedhjeve në gypat e kalldajës.
Sipas pohimeve të ekspertëve të KEK-ut, ky defekt teknik (rrjedhja në kalldajë), nuk është ndonjë prishje e madhe dhe serioze teknike, por për shkak të gypave të shumtë numerikisht (kalldaja e një termocentrali, siç është kjo e B2-shit ka rreth 80 deri në 100 kilometra gypa), prandaj do ca kohë deri sa të konstatohet se ku ka ndodhur rrjedhja e ujit, për t’ia filluar pastaj sanimit, që rëndom nuk zgjatë shumë.
Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli ka thënë sot për Buletinin Ekonomik se po punohet me intenzitet të shtuar nga ekipet e mirëmbajtjes së KEK-ut, dhe nëse të gjitha punët, vijojnë të zhvillohen sipas planifikimeve, pritet që blloku B2 të aftësohet dhe të rikthehet në prodhim diku rreth orëve të vonshme të natës. Dhe, deri sa të futet në sistem kjo njësi i Kosovës B, Kosova po furnizohet vetëm nga prodhimi i njësive A3 dhe A5 të termocentraleve Kosova A, që secila prodhon nga 130 megavatë-orë veç e veç, ose bashkarisht 260 megavatë.
Një sasi tjetër, që është thuaja minimaliste prej dhjetëra megavatësh po prodhohet edhe nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme, minihidrocentralet dhe parqet e energjisë së erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës. E tërë sasia tjetër, përafërsisht sa ka qenë prodhimi bllokut B2, defekti teknik i të cilit është duke u sanuar, ose diku rreth 260 megavatë-orë, KEK-u po e siguron nga importi.
Skënder Bucolli ka ritheksuar edhe dje për Buletinin Ekonomik se “edhe pse ky bllok është jashtë funksionit, s’do të ketë mungesë të energjisë derisa të rikthehet në punë B2, sepse është kontraktuar rryma për aq kohë derisa kjo njësi të kthehet në prodhim”.
“Tri njësi kanë qenë në operim, B-2 dhe dy njësi të Kosova A, A3 dhe A5. Njësia B-2 është ndalë për shkak të rrjedhjeve të ujit sot në orët e para të mëngjesit (e enjte, 10 gusht) dhe pritet me u riparu edhe me u kthy nesër në prodhim. Prodhimi i kësaj njësie derisa të riparohet defekti teknik do të mungojë, por ne e nominojmë me kohë rrymën e munguar për konsumatorët fundorë, dhe në momentin që na e nominojmë rrymën, në KEK dihet sa do të mungojë rrymë dhe e sigurojmë atë sasi të energjisë elektrike. Tash jemi duke kontraktuar rrymën për aq kohë sa nuk punon B2, pra, për sot dhe për nesër. Nuk ka mungesë të energjisë sepse KEK është duke e kontraktuar energjinë, rrymën në kapacitetet që ka pas me i prodhu kjo njësi”, ka deklaruar Bucolli për medie.
Ndryshe, sot, në bursën hungareze HUPX, nga e cila rëndom importon Kosova energji elektrike, një megavatë-orë gjatë orëve të ditës ka kushtuar 80,88 euro, ndërsa gjatë kohës së pikut, për çudi ky çmim ishte 58,36 euro. Rëndom, në orët e pikut, energjia kushton më shumë në orët e pikut. Sot ishte goxha më lirë se sa në orët e tjera gjatë ditës. Ndërsa, çmimi mesatar i energjisë elektrike në bursën shqiptare, ALPEX për ditën e sotme është: 86.27€/MWh, kurse çmimi në kohën e pikut (ose në orën 20:00) është 134.25€/MWh, derisa çmimi minimal është 53.88€/MWh, i paraqitur në ora 14:00. /Buletini Ekonomik/









