Telekomi i Serbisë bleu jashtëligjshëm operatorë mbi 20 milionë euro

Autoriteti i Konkurrencës ka verifikuar se dega e Telekomit të Serbisë në Kosovë (MTS) ka bërë veprime në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.

Selajdin Beqa, ushtrues detyre i drejtorit të Autoritetit të Konkurrencës ka thënë se MTS ka blerë operatorë të vegjël pa i njoftuar shitblerjet në AKRK.

“Ne si Autoritet kemi pasur disa ankesa nga qytetarë e operatorë të ndryshëm nga viti 2008 e këtej. Por në vjeshtën e vonshme të vitit 2022 kemi filluar me një analizë të tregut përkatës si sektor në kuadër të Telekomit, e posaçërisht shërbimet e internetit dhe të televizionit”, ka thënë Beqa në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, Autoriteti i Konkurrencës ka verifikuar se MTS po bën veprime të jashtëligjshme.

“Kompania A e ka blerë kompaninë B, pa e bërë paraqitjen në Autoritetin e Konkurrencës, andaj Autoriteti mbi bazën e ligjit e sheh nëse e lejon apo jo atë përqendrim. MTS ka dështuar të paraqesë përqendrimet në Autoritetin e Konkurrencës dhe mbi bazën e kësaj duke vepruar jashtëligjshëm ka blerë së paku 4 operatorë të vegjël, e në total blerjet janë mbi 20 milionë euro”, ka thënë Beqa.

Ai tutje ka bërë të ditur se ky rast është në fazën e fundit të procedurave hetimore, teksa së shpejti do të paraqiten në seanca dëgjimore.

“Dyshimet janë mbi bazën e dështimit të MTS-së për të paraqitur përqendrimet apo shitblerjet për ndërmarrjet më të vogla regjionale të Kosovës. Po ashtu edhe kompani tjera si Artmotion e Kujtesa kanë bërë veprime të ngjashme, për të cilat kemi ngritur procedurë”, deklaroi ai.