Ministri Selimi: Lufta kundër korrupsionit, patriotizmi i kohës sonë

Prishtinë, 2 korrik – Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka pritur sot në takim drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havollin.

Ministri Selimi me këtë rast u njoftua me aktivitetet dhe prioritetet e Agjencisë Kundër- Korrupsion, natyrën e rasteve të trajtuara nga kjo Agjenci dhe njëherit u informua me angazhimin që ky institucion bën në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë si dhe ecurinë e zbatimit të ligjeve të cilat ndërlidhen me luftën kundër korrupsionit. Po ashtu z. Havolli e ka njoftuar ministrin Selimi me nismën për hartimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit 2021 – 2025.

Lufta kundër korrupsionit është detyrë e të gjitha institucioneve të drejtësisë, u shpreh ministri Selimi. Ai tha se jemi duke punuar brenda përgjegjësive tona për të siguruar rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në këtë drejtim.

Reklama e sponzorizuar

“Lufta kundër korrupsionit me të drejtë konsiderohet si patriotizëm i kohës sonë dhe ne duhet të qëndrojmë të palëkundur në këtë betejë të përbashkët. Jemi të vetëdijshëm se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës presin që institucionet e vendit, sidomos ato të drejtësisë të dëshmojnë përgjegjshmëri, integritet dhe transparencë gjatë vendimmarrjes. Prandaj përfshirja e të gjithë akterëve relevant do i bëjë edhe më efikase përpjekjet e gjithsecilit në luftën kundër korrupsionit” tha Selimi.

Z. Havolli ka vlerësuar nismat për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe u shpreh se janë të gatshëm për të bashkëpunuar me Ministrinë e Drejtësisë, veçanërisht në aktivitetet që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit.