Fermerëve u premtohet vetëm kompensim i pjesshëm i dëmeve nga breshri

Fermeri Shkëlzen Krasniqi nga fshati Vranoc i Pejës, javën e ardhshme kishte planifikuar të niste vjeljen e specave dhe t’i nxirrte ata në treg për shitje. Por në 20 ari tokë të mbjellë me speca, breshri që ka rënë të mërkurën në mëngjes nuk ia ka lënë as edhe një spec të vetëm pa ia dëmtuar.

Dëme atij dhe bashkëfshatarëve të tij, përveç në sipërfaqet e mbjella me speca, breshri u ka shkaktuar dëme edhe në misër e fasule. “Specat kanë qenë të gatshëm me i vjelë, por breshri na i ka shkatërruar të gjitha. Edhe krejt misrin e fasulet na i ka prishë jo vetëm mua, por edhe të tjerëve në fshat dhe disa fshatra të tjera afër.

Dëmi është i madh shumë”, flet Krasniqi, derisa shikon të mbjellat e shkatërruara. E këto dëme nga breshri në arën e Krasniqit, si dhe në tokat e disa fermerëve të tjerë në Komunën e Junikut, Deçanit, Pejës e Istogut i ka parë nga afër ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, sipas të cilit dëmet janë të konsiderueshme në shumë kultura bujqësore. “Tash ne në bashkëpunim me komunat, siç kemi bërë edhe në të kaluarën, do të marrim parasysh kryesisht vlerësimet e komunave, komisioneve të niveleve komunale, të cilat bëjnë evidentimin dhe vlerësimin e këtyre dëmeve dhe në bazë të atyre raporteve dhe listave që përpilohen nga vetë komunat për fermerët e dëmtuar, do të shohim edhe brenda mundësive buxhetore të Ministrisë që të bëjmë edhe kompensimin”, u ka premtuar Mustafa ndihmë fermerëve që kanë humbur të mbjellat nga breshri.

Mirëpo, kjo ndihmë financiare nuk do të ketë lartësinë e dëmeve që kanë pësuar fermerët dukagjinas. “Është fati i keq që viti 2020 për shkak të pandemisë Covid-19 ka shkaktuar probleme financiare edhe për sektorin publik dhe për sektorin privat. Prandaj, do të shohim si qeveri qendrore mundësitë buxhetore që sado pak të kompensojmë një pjesë të këtyre dëmeve nga fatkeqësitë natyrore”, tha Mustafa. Buxhet për të ndihmuar financiarisht fermerët që dëmtohen nga kushtet e këqija klimatike apo fatkeqësitë natyrore, në Komunën e Pejës nuk kanë të ndarë. “Për kompensim sado pak të tyre drejtoria jonë nuk ka kurrfarë buxheti të ndarë. As në nivel të komunave të tjera nuk kanë buxhet të ndarë për një qëllim të tillë.

E vetmja shpresë është që prej Ministrisë të bëhet kompensimi. Të paktën shpenzimet e prodhimit e të punës që janë bërë të kompensohen”, tha Mehdi Mulaj, drejtor i Bujqësisë në Komunën e Pejës. Fermerët dukagjinas viteve të fundit vazhdimisht po goditen nga kushtet e këqija klimatike dhe dëmet që u janë shkaktuar vetëm katër vjetët e fundit janë në miliona euro, sidomos në pemëtari dhe perimtari, por deri tash as komunat e as qeveria nuk u ka dalë në ndihmë atyre.

Ministri i Bujqësisë e kishte të njohur faktin që viteve të kaluara nuk janë ndihmuar fermerët për dëmet që kanë pësuar nga kushtet klimatike dhe fatkeqësitë natyrore, por kësaj here, sipas tij, fermerët do të ndihmohen. Ai tha se me propozimin e tij, Qeveria ka marrë vendim për ndarjen e dy milionë eurove për kompensim e dëmeve të shkaktuara në kulturat bujqësore në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Mirëpo, me këto 2 milionë euro nuk do të kompensohen fermerët, që të mërkurën kanë pësuar dëme nga breshri. “Çdo tremujor do të presim raportet e dëmeve dhe çdo tremujor do të nxjerrim vendim në qeveri për kompensimin e këtyre dëmeve. Pra, vendimi 2 milionë euro është për dy tremujorët e parë të këtij viti.

Gjatë pjesës tjetër të vitit do të ndajmë aq buxhet sa kemi për tremujorin e tretë dhe tremujorin e katërt”, tregon Mustafa se për dëmet aktuale ende nuk ka buxhet. Se a do të marrë ndonjë cent nga Qeveria për dëmet e shkaktuara nga breshri një ditë më parë, nuk është fort optimist fermeri nga Vranoci, Shkëlzen Krasniqi, duke pasur në kujtesë vitet e kaluara, kur asnjë fermer nuk është kompensuar nga qeveria për dëmet që i kanë pësuar nga era, acari e breshri. “Nuk e di a do të marrim diçka, pasi askush nuk ka marrë përpara dhe nuk e di sa mundet me na ndihmu shteti dhe sa na e qet dorën.

Na kemi pasë shpenzime të mëdha, pasi e gjithë toka nuk është e imja që e punoj, se na marrim edhe me qira, e do e kemi tokën tonë”, thotë Krasniqi. Ministri i Bujqësisë, të enjten, së pari ka vizituar fermerët e prekur nga dëmi në Komunën e Junikut, pastaj në Deçan e Pejë, e në fund ka vizituar fermerët në Komunën e Istogut, ku breshri gjithashtu ka shkaktuar dëme të mëdha në të gjitha kulturat bujqësore.