PSE KOMPANITË E SIGURIMEVE NUK IA PAGUAJNË BORXHET KRYQIT TË KUQ?

Kompanitë e sigurimeve të Kosovës qe tetë vite nuk kanë paguar obligimet financiare që kanë ndaj Kryqit të Kuq të Kosovës.

Këto obligime janë caktuar në bazë të ligjit për Kryqin e Kuq që është miratuar në Kuvendin e Kosovës në qershor të vitit 2010.

Në bazë të këtij ligji, në një nga nenet thuhet se “kompanitë obligohen që një për qind të vlerës së sigurimit të çdo automjeti, të shkojë në xhirollogarinë e Kryqit të Kuq”.

Reklama e sponzorizuar

Anëtarë të Kryqit të Kuq e konsiderojnë të padrejtë mosrealizimin e obligimeve ligjore, përderisa përfaqësues të industrisë se sigurimeve theksojnë se ligji përkatës diskriminon këtë industri.

Adem Nura, anëtar i kryesisë të Kryq të Kuq të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vlera borxheve është mbi një milion euro dhe që deri më tani “ asnjë cent nuk është deponuar në xhirollogari të kësaj organizate”.

Për këtë çështje, ai tregon se Kryqi i Kuq i Kosovës, ka paditur në organet gjyqësore kompanitë e sigurimeve për mosrespektim të Ligjit për Kryqin e Kuq.

“Kompanitë janë paditur, nga disa kemi fituar procesin gjyqësor, por tash do ankohen në shkallë tjetër. Unë mendoj se kjo punë do përfundojë, veç se nevojitet kohë”, thotë Nura.

Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë janë të regjistruara më shumë se 315 mijë vetura. Çmimet për sigurimet ndryshojnë në varësi të specifikave të mjetit motorik, duke filluar nga 60 deri në 250 euro.

Ndërkaq në tregun e Kosovës operojnë 15 kompani të sigurimeve, 8 nga to më pronësi të huaj.Përfaqësues të kësaj industrie kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se ky ligj diskriminon këtë sektorë, pasi sipas tyre, asnjë sektorë tjetër nuk ngarkohet më obligime të tilla.

Në anën tjetër Shpend Balija, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ligji është i paqartë dhe nuk specifikon se kush duhet paguar, si duhet të paguhen mjetet, a duhet t’i bartet kjo qytetarit, apo nëse duhet Banka Qendrore e Republikës së Kosovës t’i marrë përsipër këto pagesa.

“Nëse një kompanie ose një sektori të caktuar në mënyrë arbitrare i vendoset me ligj apo me interpretimin e gjykatës që kapitalin privat t’ja paguajë një institucioni siç është Kryqi i Kuq, atëherë kjo është shkelje e të drejtave themelore të pronësisë”.

“Do të thotë edhe pse është kapital financiar ajo është pronë private dhe askush nuk ka të drejtë të marrë një pronë ose të konfiskojë aq më pak një kapital privat pa baza të mirëfillta të shpronësimit ose të kompensimit”, thotë Balija.

Për këtë çështje është informuar edhe Avokati i Popullit në Kosovë, përmes Shoqatës së Sigurimeve.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se pas analizës se çështje ky institucion konkludon se kjo nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Jashari tregon se pasi disa kompani janë në procese gjyqësore, si institucion është dërguar një opinion juridik te Gjykatat Themelore se si duhet të jetë epilogu në këto raste.

“Gjatë analizave ne kemi parë dhe kemi konkluduar se është shkelje. Gjithashtu kemi parë edhe vendime të gjykatave tjera Kushtetuese. Një situatë identike ka qenë edhe në Kroaci dhe Gjykata Kushtuese e Kroacisë e ka shpallur si të paligjshme një formulim të tillë, në njërin nga ligjet në të cilin e kanë pasur për kompanitë e sigurimeve që të paguajnë një për qind të të ardhurave për Kryqin e Kuq”.

“Para disa ditësh ne kemi biseduar edhe me kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës që eventualisht kjo Gjykatë të fillojë një proces në Gjykatën Kushtetuese që njihet si kontroll i zbatueshmërisë se ligjeve” tha Jashari .

Kompanitë e sigurimeve mbikëqyren nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.

Në një përgjigjje për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të kësaj banke kanë thënë se “ BQK-ja ka kërkuar nga institucionet të cilat i mbikëqyr dhe rregullon që të respektojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi”.

Sipas informatave të cilat BQK-ja i disponon, thuhet se çështja e pagesës ndaj Kryqit të Kuq është në proces gjyqësor.

Kryqi i kuq i Kosovës është e vetmja Shoqatë Kombëtare e Kryqit të Kuq në Kosovë, e cila e zhvillon aktivitetin e vet humanitar, vullnetar, jofitimprurës në tërë territorin e Kosovës. /Evropa e Lirë