PUNËTORËT E POSTËS NISIN GREVËN!

Sindikata e Punëtorëve të Postës së Kosovës, ka njoftuar se sot (e hënë), të gjithë punëtorët e kësaj kompanie publike, do të hyjnë në grevë të përgjithshme, e cila sipas tyre, nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesave të cilat i kanë.

Gjatë gravës në sportelet e Postës së Kosovës nuk do të ofrohet asnjë shërbim. Në njoftimin e Sindikatës thuhet se:

“Greva nuk do të ndalet deri realizimin e pagave për të gjithë punonjësit e Postës së Kosovës, garantim me shkrim nga menaxhmenti, bordi dhe Qeveria e Kosovës që ekzekutimi i pagave në muajt e ardhshëm do të bëhet brenda afatit ligjor. Qeveria e Kosovës të kryejë urgjentisht obligimin ligjor ndaj Postës – rimbursimin e humbjeve në Shërbimin Universal Postar. Qeveria t’i mundësojë Postës të marrë shërbimet që i ka secili operator postar në rajon dhe më gjerë (pensionet dhe skemat e ndryshme sociale, shpërndarja e faturave për shërbime publike si dhe themelimi i Post-Bankës)”.

Reklama e sponzorizuar

Sipas njoftimit, greva do të pasohet edhe me veprime të tjera sindikale deri në realizimin e plotë të kërkesave të punëtorëve të Postës së Kosovës, për të cilat do të ketë njoftime me kohë.