BANKA BOTËRORE NUK E MBËSHTET MË TERMOCENTRALIN ‘KOSOVA E RE’

Drejtori Ekzekutiv i organizatës joqeveritare Balkan Green Foundation, Visar Azemi dhe Burim Ejupi nga Instituti për Politikat Zhvillimore (INDEP) po marrin pjesë në Takimet Vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në Bali, Indonezi.

Këto takime bashkojnë bankierët qendrorë, ministrat e financave dhe të zhvillimit, drejtuesit e sektorit privat, shoqërinë civile, mediat dhe akademinë për të diskutuar çështje mbi perspektivën ekonomike botërore, stabilitetin financiar global, çrrënjosjen e varfërisë, rritjen ekonomike, e ndryshet klimatike.

Gjatë një takimi me përfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile, Drejtoresha Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde dhe Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim, diskutuan me me shoqërinë civile një gamë të gjerë temash zhvillimore.

Reklama e sponzorizuar

Ndër të tjera diskutime gjatë takimit në fjalë, z. Azemi i drejtoi pyetje z. Kim lidhur me qëndrimin e Bankës Botërore për mbështetjen e projektit me qymyr në Kosovë, ku Z. Kim konfirmoi se Banka Botërore ka marrë një vendim të qartë për të mos përkrahur termocentralin “Kosova e Re”. Z. Kim deklaroi se“Na kërkohet me aktet tona nënligjore të ndjekim opcionet me kosto më të ulët – meqë burimet alternative tani janë nën koston e qymyrit, pa dyshim nuk do ta mbështesim një projekt të tillë.”

Tani Balkan Green Foundation i bën thirrje BERZH-it dhe insitucioneve tjera financiare ndërkombëtare që të deklarojnë nëse do të ndjekin të njëjtin veprim si Banka Botërore dhe të mbështesin tranzicionin drejt shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme për prodhimin e energjisë, ndërkohë që largohen nga lëndët djegëse fosile!