SHTESAT PËR FËMIJË NË KOSOVË?

Përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se në një të ardhme të afërt, planifikojmë të instalojnë edhe sistemin e shtesave për fëmijë.

Në një përgjigje dërguar përmes postës elektronike, zyrtarë të kësaj ministrie thonë se aktualisht janë në fazën e hartimit të dy koncept-dokumenteve, një që ka të bëjë në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare dhe tjetri për rregullimin e fushës së pensioneve.

“Me aprovimin e këtyre dy koncept-dokumenteve do të hartohet legjislacioni përkatës që do të përcaktojë kompensimet dhe përfitimet për të gjitha kategoritë dhe ofrimin e shërbimeve sociale edhe familjare. Saktësisht, ne planifikojmë krijimin e një Fondi për Sigurime Sociale, me atë të së cilit, në një të ardhme të afërt, planifikojmë të instalojmë edhe sistemin e shtesave për fëmijë”, thuhet në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë nga zyra për informim e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Reklama e sponzorizuar

Shtesat për fëmijët kanë qenë premtim i vazhdueshëm i partive politike gjatë fushatave zgjedhore. Ish-kryetari i Partisë Demokratike, tashmë president i Kosovës, Hashim Thaçi, pati premtuar 300 euro për çdo fëmijë të sapolindur, premtim ky që nuk është realizuar asnjëherë.

Ndërkohë, nismën për shtesat e fëmijëve në Kuvendin e Kosovës e pati iniciuar deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj- Bujupi.

Ajo në atë kohë pati deklaruar se është llogaritur se do të përfitojnë rreth 500 mijë fëmijë, nga mosha 0 deri në 16 vjeç, me nga 10 deri në 40 euro në muaj, varësisht numri i fëmijëve.

Sipas një llogarie ishte thënë se vlera e shtesave të fëmijëve mund të arrijë në 3 për qind të buxhetit të përgjithshëm të Kosovës. Buxheti i Kosovës për vitin 2018 është 1.8 miliard euro.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se shtesat e fëmijëve janë të domosdoshme dhe se është biseduar për këtë çështje në një seancë parlamentare.

“Në seancën e kaluar kemi pasur debat parlamentar lidhur me këtë çështje, ku prej atij debati do të duhej të dilnin rekomandime që do të kushtëzonin Qeverinë e Kosovës, që në buxhetin e ardhshëm të parashihen edhe shtesat për fëmijë. Si shtet jemi vonuar shumë në këtë drejtim duke pasur parasysh kushtet në të cilat jetojnë familjet në Kosovë dhe duke pasur parasysh që shumë familje kanë numër më të madh të fëmijëve”, thotë Baftiu. /REL