Fluksi i importit nga Serbia e Bosnja bie nën zero

Janë bërë gjashtë ditë që kur Qeveria e Kosovës ka rritur në 100 për qind masën mbrojtëse ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës.

Importi i mallrave nga këto dy shtete ka rënë në zero sipas Doganës së Kosovës.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për KALLXO.com se vetëm dy maune kanë hyrë në territorin të Kosovës nga këto dy shtete.

Reklama e sponzorizuar

Këto maune kanë paguar masën mbrojtëse prej 100 për qind.

“Fluksi i importit të mallrave prej Serbisë dhe Bosnjës ka rënë në zero. Realisht në javën e parë të zbatimit të ndalesës prej 100 për qind, vetëm dy maune kanë hyrë në territorin e Kosovë, njëra nga Bosnja dhe njëra nga Serbia e që e kanë paguar taksën prej 100 për qind”, ka thënë Stavileci.