Qeveria e Kosovës: Taksa ndaj Serbisë nuk hiqet

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, është takuar dje me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Pas takimit të përbashkët, Pompeo ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të shfuqizojnë vendimin për taksën 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Pas kësaj kërkese, në Qeverinë e Kosovës thonë se ky vendim do të rishikohet atëherë kur të reflektohet në arsyet që e kanë sjellë vendimin.

Reklama e sponzorizuar

“Vendimi për 100 përqindëshin rishikohet vetëm atëherë kur reflektohet në arsyet që e kanë pru këtë vendim”, ka thënë këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind ndaj Serbisë është marrë në mbledhjen e fundit më 21 nëntor.

Kujtojmë se edhe Bashkimi Evropian ka kundërshtuar këtë vendim të Qeverisë dhe ka kërkuar tërheqjen e menjëhershme.

Ndërkohë serbët e Mitrovicës së veriut sot mbajtën një protestë në kundërshtim të këtij vendimi.