Qeveria e Kosovës e ka pezulluar vendimin për kthimin e pronave shoqërore në pronësi të komunave serbe, derisa Gjykata Kushtetuese të dalë me një konstatim për këtë çështje.
Në mbledhjen e gjashtë nëntorit, Qeveria kishte aprovuar kërkesat e komunave të Mitrovicës së Veriut, Ranillugut dhe Kllokotit për tërheqje nga procesi i privatizimit të të gjitha pronave shoqërore që ndodhen në këto komuna.
Por, sot ekzekutivi ka pezulluar këtë vendim derisa Gjykata Kushtetuese të dalë me një konstatim për këtë çështje.
Ky vendim i Qeverisë vjen, pasi që Zyra Ligjore e Presidentit të Kosovës të premten e kaluar ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e neneve 92 dhe 94 të Kushtetutës së Kosovës, pas vendimit të Qeverisë për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe bartjen e një numri pronash që menaxhoheshin nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, në pronësi të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Kllokotit, Ranillugut dhe komunave të tjera.
Ndryshe kjo kërkesë për ndalim të privatizimit në komunat me shumicë serbe ka qenë kusht i vazhdueshëm i Listës Serbe ndër vite.
Kujtojmë se Lista Serbe edhe në vitin 2015 kishte marrë garanci nga koalicioni qeverisës, aso kohe mes PDK-së dhe LDK-së, se nuk do të ndodhë privatizimi i pronave shoqërore në këto komuna.