Inspektoratit Komunal në Ferizaj, me mbështetjen e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka vazhduar aktivitetet në mbrojtje të shëndetit publik.
Kësaj radhe, një aksion i rrallë është zhvilluar për të kontrolluar balancimin, drejtshmërinë e peshoreve në furrat e bukës që operojnë në territorin e Ferizajt, me qëllim që të shmanget keqpërdorimi eventual në sasi produkti, përkatësisht mashtrim me masën e shprehur në gram të bukëve që shiten nga këto furra, pas ndryshimeve të fundit në tregun e shitjes së bukës në disa qendra të Kosovës.
Këto ndryshime kanë nxitur këtë iniciativë të Inspektoratit Komunal që ka rezultuar me kontrollimin e 11 furrave, me ç‘rast për disa nga to u shqiptuan gjoba për shkakun e mungesës së dokumentacionit, gjegjësisht certifikatës së kalibrimit të peshores.
Ky aksion i motivuar nga parimi i mbrojtjes së shëndetit publik u realizua nga inspektorët e tregut dhe sanitar në kuadër të Inspektoratit Komunal.
Si të tillë, këtij aksioni i kanë paraprirë denoncimet e qytetarëve për keqpërdorime, përkatësisht mashtrim me sasinë/masën e bukës që shitet në disa prej furrave në Ferizaj, pas ndryshimeve të fundit të çmimit në disa qendra.
Madje, në raportimet që janë bërë pranë Inspektoratit Komunal, qytetarët janë ankuar se furrtarët po ulin sasinë e produktit, duke mashtruar përmes peshoreve të pa verifikuara deri më tani.
Vendosmëria e të parit të Ferizajt, Agim Aliu përmes levës kryesore të kontrollit shtetëror, Inspektoratit Komunal ka bërë që të pastrohet tregu nga produktet e dyshimta, të pasigurta e jo të shëndetshme, si dhe të rritet përgjegjshmëria e bizneseve ndaj konsumatorëve.
Edhe ky hap, ka tendencën që produkti që ofrohet të jetë brenda peshës dhe parametrave të tjerë të kërkuar.