Menaxhimi joadekuat i kombinatit metalurgjik “Trepça” dhe moszbatimi i Ligjit për Trepçën, thuhet të kenë futur këtë ndërmarrje në vështirësi të shumta financiare dhe kapacitete minimale prodhuese.
“Trepça” e cila ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi, tani është në fazën e mbijetesës dhe me probleme të mëdha. Që nga paslufta kjo ndërmarrje nuk arriti të rimëkëmbet.
Janë bërë dy vjet prej kur Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për Trepçën, me të cilin mëtonte ta rimëkëmbte dhe rivitalizonte ndërmarrjen. Por, si i tillë ky ligj nuk arrti të zbatohet në tërësi, për shkak të, siç thuhet, neglizhencës që treguan autoritetet e vendit karshi ndërmarrjes.
Në bazë të këtij ligji, pronësia e kompleksit u bart nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) te Qeveria e Kosovës, si aksionare kryesore me 80 për qind, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”.
Por, zgjedhjet e parakohshme dhe ndërrimi i qeverive në Kosovë kishin bërë që shumë procese lidhur me rimëkëmbjen e “Trepçës” të zvarriten.
Bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça” i cili do të mundësonte zbatimin e ligjit u themelua 18 muaj pas miratimit të këtij ligji.
Ndërkohë, pas një greve të minatorëve të “Trepçës” në korrik të këtij viti, Qeveria e Kosovës krijoi grupet punuese të cilat kishin për detyrë t’i vlerësonin asetet që janë në pronësi të “Trepçës” dhe përfshirjen e të gjitha aseteve fizibile në statutin e shoqërisë aksionare si dhe të bënin trajtimin dhe ofrimin e zgjidhjeve për të gjitha çështjet sociale të ngritura nga sindikata e minatorëve të “Trepçës”.
Zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në një përgjigje dërguara përmes postës elektronike, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se grupet punuese kanë përfunduar punën e tyre dhe se rekomandimet janë dërguar në Qeverinë e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë, ka siguruar një raport të grupeve punuese që i janë dorëzuar Qeverisë së Kosovës.
Në këtë raport, kërkohet nga Inspektorati i Punës dhe institucionet tjera përgjegjëse të bëjnë inspektimin dhe monitorimin e kushteve të punës, sigurisë dhe shëndetit në punë, ambienteve të punës dhe vlerësimit të rrezikshmërisë.
Grupi punues ka propozuar që të drejtat për trajtim shëndetësor, sigurim shëndetësor dhe furnizim me barna të rregullohen dhe të përfshihen në kornizën ligjorë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
E drejta në sigurim jetësor dhe mundësitë për punësimin e një anëtari të familjes, ky grup punues ka propozuar që të mbesin përgjegjësi e rregulloreve të brendshme dhe obligimeve të Bordit, menaxhmentit të Sindikatës së minatorëve të ndërmarrjes “Trepça”.
Ndërsa është propozuara që e drejta për pension të parakohshëm, pension invalidor, pension familjar dhe rregullimin e stazhit të beneficuar, për të punësuarit të moshës 55-65 vjeç dhe që kanë pozitën e minatorit në kuadër të minierave, të rregullohet me ligj të veçantë për pensione të parakohshme.
Ndërkaq, grupi teknik për vlerësimin e aseteve të Ndërmarrjes “Trepça”, pas shqyrtimit të listës së aseteve të pranuar nga Agjenci Kosovare e Privatizimit si dhe menaxhmeti i ndërmarrjes “Trepça”, ka konsideruar se pas studimit të fizibilitetit si dhe duke u bazuar në Ligjin për Trepçën, asetet që duhet të përfshihen në statutin e ndërmarrjes “Trepça” janë:
Minierat me flotacion Trepça- Stantërg, me pesë vendburime të tjera përreth, minierat me flotacion Kishnicë dhe Artanë me gjashtë vendburime, minierat me flotacion Kopaonik – Leposaviq me tre vendburime përreth.
Po ashtu në statutin e “Trepçës” ky grup punues teknik ka kërkuar që të përfshihet, metalurgjia e plumbit, metalurgjia e zinku, industria kimike, fabrika e akumulatorëve në Mitrovicë, fabrika e pajisjes së proceseve, stabilimentet energjetike, laboratori në Zveqan, instituti i plumbit dhe zinkut, kompleksi administrativ i Kishnicës në afërsi të Prishtinës dhe kompleksi administrative në Zveçan.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se nuk ka pasur pajtueshmëri ndërmjet palëve në vlerësimin e aseteve të “Trepçës” dhe lidhur me kërkesat sociale të punëtorëve të “Trepçës”.
Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se “Trepça” është duke u përballuar me probleme të mëdha. Sipas tij, në “Trepçë” ka probleme financiare dhe nuk është duke funksionuar si duhet.
“Ka probleme në kombinatin në ‘Trepça’ lidhur me statutin. Nga grupet punuese kanë dal dy versione, aty nuk po pajtohen subjektet në ‘Trepçë’ dhe sindikata e punëtorëve. Ka probleme rreth vlerësimit të aseteve të ‘Trepçës’, situata është bllokuar dhe nuk po arrijnë t’i japin një zgjidhje të përbashkët. Kemi një situatë të pakëndshme në ‘Trepçë’. Grupi punuese është dashur të dalë me një zgjidhje, me një propozim për statutin e ‘Trepçës’, e pastaj institucionet të procedojnë në Kuvend ku do të miratohej”, thotë Shatri.
Problemet në “Trepçë”, shton Shatri, nuk do të mund të zgjidhen pa zgjidhjen përfundimtare të statutit të ndërmarrjes.
Prodhimi në Trepçë bie për 50 për qind
Në anën tjetër, Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës së “Trepçës” dhe anëtar i Bordit në këtë ndërmarrje, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se 99 për qind e kërkesave të minatorëve janë përfshirë në këto raporte të grupeve punese të cilat sipas tij, tani janë dërguar në Qeveri.
Sadiku kërkon nga institucionet e vendit që të marrin masa konkrete në miratimin e statutit të “Trepçës” dhe fillimin e proceseve që rimëkëmbin ndërmarrjen, në të kundërtën, ndërmarrja është në krizë.
“Gjatë këtyre dy viteve që nga miratimi i ligjit ka pasur vonesa. Nga të gjitha qeveritë janë prolonguar proceset. Për momentin gjendja aktuale në ‘Trepçë’ nuk është e mirë, gjendja financiare është e keqe, po ashtu prodhimi krahasuar me vitin 2016 dhe 2017 ka rënë për 50 për qind”, thekson Sadiku.
Zvarritjet që i janë bërë zbatimit të Ligjit për Trepçën, nga përfaqësues të këtij kombinati theksohet se kanë sjellë humbje të mëdha, si dhe nuk është arritur të fillohet me politikat zhvillimore të kësaj ndërmarrjeje.
Xhevdet Tahiri ushtrues detyre i drejtorit menaxhues të ndërmarrjes “Trepça”, thotë për Radion Evropa e Lirë se pa regjistrimin e ndërmarrjes si shoqëri aksionare nuk mund të hapen rrugët e zhvillimit.
“Miniera e ‘Trepçës’ është pa statut, statuti i ‘Trepçës’ nuk është i definuar ende, procedurat janë ngrirë. Nuk ka asnjë lëvizje përpara pa u miratuar draft-statuti, pa u regjistruar ndërmarrja. Kemi sfida të mëdha por po ja dalim të mbijetojmë. Nuk kemi ndihmë as nga Qeveria, por, po mbijetojmë vetëm me punën tonë”, thotë Tahiri.
Njohësi i çështjeve në kombinatin “Trepça” dhe ish-drejtori në këtë ndërmarrje, Ahmet Tmava, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo ditë e humbur ka pasoja të mëdha për zhvillimin e ndërmarrjes.
“’Trepça’ po vuan nga mosdefinimi i statutit të saj sepse nuk ka një statut zhvillimor. Statutin zhvillimor e jep Ligji për Trepçën i cili ka më shumë se dy vjet që është miratuar, por ende nuk është zbatuar. ‘Trepça’ ende në dokumente përdor vulat si ndërmarrje shoqërore ndërsa vepron si shoqëri aksionare. Top prioritet është regjistrimi i ndërmarrjes sipas ligjit të ri, sepse kjo jep mundësi ristrukturimit dhe zhvillimit të ndërmarrjes”, thekson Tmava. /REL/