VV, Ahmetit: Pse nuk po ua jep pagat punëtorëve të Pallatit të Rinisë

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë përmes një njoftimi për media ka kritikuar Kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti se pavarësisht premtimit, nuk u ka dhënë pagat punëtorëve të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

“Sa muaj do të zgjasë java e Shpendit për t’ju dhënë pagat punëtorëve të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve? Sot, me 8 dhjetor, bëhen një muaj që kur Kryetari i Komunës së Prishtinës ka vizituar Pallatin e Rinisë dhe Sportit dhe në bashkëbisedim me punëtorët ka premtuar që pagat e dy muajve, shtator dhe tetor do t’i merrnin brenda javës. Por sot, edhe një muaj pas, punëtorët e Pallatit të Rinisë e Sportit ende nuk kanë marrë pagat dhe tashmë po bëhen 100 ditë pa paga për punëtorët”, thuhet në njoftim.

Sipas VV-së, Ahmeti nuk po arrin të menaxhojë me asnjë nga përgjegjësitë që i takojnë si kryetar, dhe sipas tyre, sikur kjo të mos mjaftonte pretendon të marrë përgjegjësi shtesë në negociatat me Serbinë.

Reklama e sponzorizuar

“Punëtorëve të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve duhet që t’iu jipen pagat sa më parë. Çdo vonesë në këtë drejtim iu jep të drejtë punëtorëve për ndërrmarrjen e hapave të paralajmëruar. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë po përcjellë me vëmendje gjithë këtë situatë dhe sigurisht që do të qëndrojë krah punëtorëve”, përfundon kumtesa.