Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ka thënë se në sektorin e arsimit në Kosovë nuk duhet të ketë vend politika, duke mbështetur kështu fuqishëm qëndrimin e përfaqësueses së BE-së, Natyalya Apostolova, se Agjencia Kosovare e Akreditimit duhet të jetë e pavarur në mënyrë që të sigurohet arsim cilësor në Kosovës.
“Sektori i edukimit nuk ka vend për politikë. Unë e mbështes plotësisht qëndrimin e Apostolovës se Agjencia kosovare e akreditimit duhet të jetë e pavarur në mënyrë të sigurohet arsim cilësor në Kosovë”, ka shkruar Kosnett në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.
Ky reagim i Kosnett ka ardhur pas takimit që Apostolova ka pasur me zyrtarë të kësaj Agjencie, ku kanë diskutuar rreth reagimeve të Universiteteve kundër vendimeve të kësaj agjencie, raporton Gazeta Express.
Një ndër temat e diskutuara ka qenë edhe ndërhyrja e politikës në punën e pavarur të kësaj agjencie, akuzë që është ngritur nga drejtuesit e universiteteve në Kosovë.
Ajo ka kujtuar se ndërhyrjet e politikës i kanë kushtuar kësaj agjencie me përjashtim nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë dhe ka vënë në rrezik anëtarësimin e kësaj agjencia edhe në institucionet tjera.
“Sot pata nderin të takohem me anëtarët e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) dhe të informohen për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme për të siguruar cilësi në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. Zotimi i tyre ndaj misionit që kanë është mbresëlënës dhe duhet të shërbejë si shembull.
Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për reagimet e disa drejtuesve të universiteteve publike kundër vendimeve të pavarura të Agjencisë. Vendimet e tilla ende nuk janë finalizuar dhe disa prej tyre mund të shqyrtohen më tej nga Komisioni i Ankesave. Asnjëherë nuk duhet avokuar për ndërhyrje politike në punën e agjencive të pavarura. Ishte pikërisht ndërhyrja e autoriteteve që rezultoi me përjashtimin e AKA-së nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë dhe ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e saj në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Kjo ka pasoja të rënda për studentët e Kosovës, duke dëmtuar aftësinë e tyre për të ndjekur studime ose për të kërkuar punë jashtë vendit.
BE-ja përgjatë viteve ka investuar shumë në reforma në arsim në Kosovë, politikisht dhe financiarisht, për të ndihmuar në sigurimin e arsimit cilësor për të rinjtë e Kosovës. Përcaktimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim për ta zbatuar këtë në praktikë është një inkurajim për Bashkimin Evropian që të rrisë angazhimin në këtë sektor.
U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës dhe partive politike që të mbështesin plotësisht punën tonë të vazhdueshme të reformave në arsim. Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe puna e saj për të siguruar arsim cilësor për qytetarët e rinj të tyre, është gjithashtu vendimtare dhe kërkon mbështetje politike”, kishte shkruar Apostolova pas atij takimi.