Vetëvendosje: Këto janë 8 arsyet pse duhet të ndalet projekti i Termocentralit “Kosova e Re”

Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar të keq lajmin për fillimin e punës lidhur me kontratën për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, pasi ka thënë se kontrata e Qeverisë së Kosovës ContourGlobal është e dëmshme dhe e stërshtrenjtë.

Vetëvendosje, përmes një kumtese për media, është shprehur se kontrata me ContourGlobal qëndron në një linjë me “privatizimin abuziv të distribuvionit (KEDS-i), autostradat miliardëshe të Bechtel-Enkas etj.”.

Tëtë arsyet e Lëvizjes Vetëvendosje pse duhet të ndalet projekti i Termocentralit “Kosova e Re”:

Reklama e sponzorizuar

Për dijeni të publikut pa hyrë në çdo detaj të kësaj kontrate, më poshtë janë (më së paku) 8 arsyet se pse kjo kontratë është shumë e dëmshme për Kosovën dhe pse duhet të ndalohet me çdo kusht:

1. 1.3 miliardë për 500MW [Kosova e Re] krahasuar për shembull me 210 milionë për 600 MW, [Rindërtimi i tre blloqeve të TC Kosovës A] – Kostoja mesatare e një blloku plotësisht të ri prej 1MW të energjisë elektrike nga qymyri, në botë, është rreth 1.4 milionë €/MW përderisa ContourGlobal na ofron 2.6 milionë/MW.

2. 80€-96/MW çmimi i garantuar i blerjes nga Contour Global, krahasuar me 30€/MW nga KEK – me kontratën e re qeveria i garanton çmimin prej 80€ deri 96€/MW në vend se çmimi të jetë i rregulluar nga tregu në momentin e blerjes. Sa për ilustrim KEDS sot importon energjinë elektrike me çmim prej 60€-80€.

3. Norma e kthimit prej 18.5% dhe garantimi i kredive nga Qeveria e Kosovës – Në kushte të ekonomisë së tregut norma e kthimit duhet të jetë pjesë e rrezikut që e merr çdo investitor, ndërsa në këtë rast qeveria i jep garanci fitimi pa asnjë rrezik ContourGlobalit. Qeveria merr edhe rrezikun e pagesës së kredisë për ContourGlobal po që se ai dështon ta paguaj kredinë.

4. Rritja e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorë – Sipas analizave të ndryshme të pavaruara përfshirë Zyrën e Rregullatorit, ndërtimi i Termocentralit (TC) Kosova e Re do të ketë një impakt prej 45% deri në mbi 80% në rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Këtë rritje do ia ngarkojnë qytetarëve qoftë drejtpërdrejtë përmes tarifave apo përmes buxhetit të Kosovës.

5. 5-7 miliardë € – Kostoja totale energjisë elektrike nga TC Kosova e Re për periudhën prej 20 vjetësh, Kosovës do t’i kushtojë 5-7 miliardë € (bazuar në të hyrat e lejuara përgjatë 20 viteve) – e njëjta sasi e energjisë nga blloqet e rindërtuara të TC Kosova ka kosto prej vetëm 2.2 miliardë euro.

6. Krijimi i ndërmarrjes fantome NKEC – Qeveria ka themeluar Ndërmarrjen e Re Kosovare të Energjisë “New Kosovo Energy Company [NKEC]” e cila do të blejë energjinë elektrike nga ContourGlobal me çmim prej 80€-96/MW e cila më pastaj do t’ja shes KESCO-s me çmim më të ultë se tregu. NKEC pra do të jetë “vrima e zezë” e buxhetit të Kosovës në dekadat e ardhshme.

7. Çrregullimi i tregut të energjisë elektrike në vend – Në kundërshtim me të gjitha praktikat europiane dhe ligjeve në fuqi, qeveria i siguron pozicion monopolistik për ContourGlobal.

8. Asnjë bllok i ngjashëm në rajon e më gjerë nuk është dekomisionuar por janë rindërtuar apo riparuar – Blloqet e rindërtuara të TC Kosova A do të kishin rritje të rendimentit mbi 20%, gatishmërisë me 7300 orë fuqi të plotë, siguri si bllok i ri dhe e sigurtë në raport me mjedisin. Rindërtimi realizohet për 4 vite, angazhohen vetëm 210 milionë euro e fitohen 3 blloqe nga 200 MW me koogjenerim.