Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën që po mbahet për Buxhetin 2019 dhe Ligjin e Pagave, kanë debatuar gjatë për pagat e menaxhmentit të Fondit Pensional të Kosovës (Trust).
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, kanë kundërshtuar pagën e lartë të menaxhmentit të këtij institucioni.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se në asnjë vend të Bashkimit Evropian një zyrtar shtetëror nuk e ka pagën sa 15-fishi i pagës mesatare.
“Sa i përket rrogës 5 mijë e 500, unë e kam një pyetje. Ma gjeni një vend në BE, ku një zyrtar e ka pagën sa 15-fishi i rrogës mesatare. Na jemi rasti i vetëm në Evropë, ku po e lejojmë 15-fishin e pagës mesatare”, është shprehur Konjufca.
Ai ka përmendur edhe zotësinë e menaxhmentit të këtij institucioni.
“Në mesin e shumë institucioneve publike, por e privilegjojmë vetëm njërin, në këtë rast Trust-in. Ekspertët po thonë që këtë vit i kanë humbur rreth 85 milionë euro. Sa i përket kësaj se sa të zot janë ata në menaxhim, duhet me përmend që askush nuk po jep përgjegjësi kur po humbet”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se paga 5 mijë e 500 euro në muaj për kryeshefin e Trust-it është anomali.