Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me punësimet partiake që po bëhen në Telekomin e Kosovës.
Abdixhiku ka thënë se njerëzit e tillë janë të pangopur, të mbrapshtë dhe të rrezikshëm.
Deputeti Abdixhiku shtoi se pasurinë e Kosovës e shohin si plaçkë, si pronë të tyre, si shpërblim dhe se për vetëm 1 vit e gjysmë qeverisje, ka kapur me pangopësi secilën mundësi.
Abdixihiku ka përmendur 234 familjarë e militantë partiakë që janë punësuar në Telekom, duke përmendur edhe 7 deputetë të pushtetit që kanë punësuar familjarët në po të njëjtën ndërmarrje publike.
Postimi i plotë:
Çka pritët prej tyre?
Janë të pangopur, të mbrapshtë dhe të rrezikshëm.
– 7 deputetë të pushtetit i kanë punësuar familjarët e tyre në Telekom. Thonë se janë më të zotit; s’ka si ta në Kosovë. Njëri madje tha se po i bënte nder Kosovës. Në Parlament, të njëjtit ndërsa, na mbajnë ligjërime moralizuese e vajtuese mbi devalvimin e PTK-së. Pyesin pse po falimenton?
– 234 familjarë e militantë partiakë janë punësuar në Telekomin e Kosovës vetëm gjatë kësaj qeverisje. Proporcionalisht kanë punësuar më shumë se Telekomi Gjerman. Është hera e dytë që ia kalojmë Gjermanisë. E para kishte të bënte me numrin e ministrive në Qeveri.
Këta pasurinë e Kosovës e shohin si plaçkë. Si pronë të tyre, si shpërblim. Për vetëm 1 vit e gjysmë qeverisje, kanë kapur me pangopësi secilën mundësi. Nga gjysmë milion eurot e pavarësisë, tek 53 milionë eurot e Bechtelit. Nga rritja e pagave për vete te vërshimet punësuese nëpër asete.
Por, “me rëndësi taksa”.
Me të jemi 100% shtet.