Shifra rekorde: Me 2018, diaspora dërgoi në Kosovë remitenca mbi 800 milionë euro

Paratë e ardhura nga mërgimtarët që jetojnë nëpër vende të Europës dhe botës vazhdojnë të jenë burim i rëndësishëm i mbijetesës dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë. Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, tregojnë se diaspora e Kosovës vetëm gjatë vitit 2018 ka dërguar mbi 800 milionë euro.

Dërgesat e mërgimtarëve vazhdojnë të jenë një burim i rëndësishëm i të ardhurave në Kosovë, e në të njëjtën kohë edhe burim i rritjes ekonomike në vend. Qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë nëpër vende të Europës dhe botës vazhdimisht dërgojnë shuma të mëdha të mjeteve financiare te familjet e tyre.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), tregojnë se shuma e remitancave të dërguara nga diaspora e Kosovës ka shënuar rritje.

Reklama e sponzorizuar

Vlera e remitancave ka shënuar rritje për 42.1 milionë euro gjatë vitit 2018, në krahasim me vitin paraprak.

“Vitin e kaluar, vlera e dërgesave që mërgimtarët i kanë dërguar në Kosovë ka arritur në 800.8 milionë euro. Vlera e remitancave ka shënuar rritje për 42.1 milionë euro nëse krahasojmë vitin 2018 me vitin 2017. Në vitin 2017, vlera e remitancave të dërguara nga mërgimtarët arriti në 758.7 milionë euro. Ndërsa në vitin 2016, vlera e remitancave ishte 691.1 milionë euro”, kanë treguar në BQK.

Bazuar në shënimet zyrtare, llogaritet se janë mes 700 – 800 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të Europës dhe botës.

E remitancat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, sipas të dhënave të BQK-së, zakonisht dhe kryesisht vijnë nga vendet e Bashkimit Europian, ShBA-ja, por edhe shtete të tjera.

“Kosova vazhdon të marrë remitanca nga shtetet gjermanofolëse, aty ku është e përqendruar më së shumti diaspora jonë. Në listën e shteteve gjermanofolëse prinë Gjermania nga e cila vetëm vitin e kaluar janë dërguar 119.7 milionë euro. Pas Gjermanisë, shteti i dytë nga ku më së shumti dërgojnë remitanca është Zvicra, ndjekur nga ShBA-ja, Italia, Austria etj”.

Disa prej familjeve të Kosovës, burim kryesor të të ardhurave e kanë nga remitancat dhe se kryesisht dërgesat e mërgimtarëve janë për t’i ndihmuar familjet dhe studentët në Kosovë.

Nëse e bëjmë krahasimin me shtetet e rajonit (Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia), duke u bazuar në databazën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2017, Kosova renditet e katërta për nga shuma e remitancave që i dërgon diaspora.

Sidoqoftë, shuma e dërgesave nga mërgimtarët në vit konsiderohet të jetë edhe më e lartë, pasi që një pjesë e mjeteve hyjnë në Kosovë edhe përmes formave tjera, të cilat mund të mos përfshihen në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës. /Monitor.al/