Trusti humbi miliona euro, shpërthejnë reagimet e qytetarëve

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës e ka përmbyllur vitin 2018 me mbi 85 milionë euro humbje. Ky institucion gjatë vitit që kemi lënë pas ka pasur një rënie të performancës së investimeve për 5.2 për qind.

Kjo rënie është arsyetuar me luhatje në tregjet financiare globale, megjithatë njohës të çështjeve ekonomike kanë kërkuar përgjegjësi nga ky institucion për rrezikimin e kontributeve të qytetarëve.

Mirëpo, qytetarët e Kosovës nuk po mund të pajtohen kurrsesi me këto humbje. Reagimet e tyre kanë shpërthyer ditëve të fundit në rrjete sociale, shkruan FaktePlus.

Reklama e sponzorizuar

Në Facebook thuajse çdo i dyti qytetarë që ka kontribuar në Trust është duke reaguar për humbjet që i kanë pasur.

Gazetari Jeton Musliu ka treguar se ka humbur 800 euro.

“…Kontribuon vet edhe kompania me 1.400 euro ne vit ne trustin e famshem per pensione (t’i ndalin) edhe ne fund te vitit rezulton se me shume se gjysma, apo mbi 800 euro, jane avullu dikah ne investime per te cilat kush s’jep llogari!”, ka shkruar Musliu.

Kurse,  Avni Zogiani, anëtari i lëvizjes Vetvendosje ka treguar se ka humbur 777 euro nga mjetet e investuara në Trustin Pensional të Kosovës.

“Per 10 vjet kemi investue ne Fondin Pensional, e kthimi ka qene 1%, tash brenda nje viti humbin 500% edhe askush nuk shkon ne burg… perkundrazi, drejtori e stafi marin rroga si me punue ne Ëall Street!”, ka shkruar Zogiani.

Edhe gazetari i ekonomisë, Lulzim Ahmeti ka bërë me dije se ka humbur mbi 340 euro të kursimeve.

“Për vitin 2018, menaxhimi i parave tona nga Trusti, ka qenë me humbje të mëdha. Çdo kontributdhënës është prekur në paratë që ka kursyer. Prandaj vlerësojeni vet, se a e meritojnë të punësuarit e Trustit? të luajnë me paratë tona. Vetëm un paskam pasur humbje në kursime 347.24 euro”.

Derisa Ardian Jasiqi, që punon po ashtu gazetar ka thënë se i kanë humbur 561 euro të kursimeve pensionale.

“Dmth paguhet 11 mije euro ne muaj drejtori i Trustit, me na i kursy parate dhe me na kthy ne investime ne plus. Bilanci po e shihni -561.11 euro. Kuvendi duhet me e shkarku urgjentisht kete individ. Perndryshe jam transparent dhe nuk e fshehu shumen e pergjithshme si do e do”.

Ndërkohë në Trust kanë theksuar se në performancën për vitin 2018 ka reflektuar fakti që të gjitha tregjet financiare e kanë përmbyllur negativisht këtë vit.

“Ramja ka ndodhë për shkak të disa faktorëve dhe kanë qenë faktorë që kanë ndodhë relativisht shpejt. Faktori kryesor ka qenë lufta tregtare mes SHBA-së dhe Kinës”, kishte deklaruar në një debat televiziv, drejtori i Trustit, Ardian Zalli.

Megjithatë ai theksoi se në plan afatgjatë Trusti qëndron mirë, pasi sipas tij që nga themelimi kanë shënuar 40 për qind kthim në investimet në fondin pensional./FaktePlus/.