Rahoveci si asnjë herë më parë është bashkuar për të kundërshtuar ‘Variantin 6’, apo siç njihet ndryshe si varianti që dëmton lumin Drini i Bardhë dhe lë anash qasjen në “Autostradën e Dukagjinit” qytetin dhe shumicën e fshatrave të Komunës së Rahovec, thotë Këshilli i qytetarëve të kësaj komune që kundërshton variantin e propozuar nga Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe kryetari i Komunës, Smajl Latifi.
Sipas Këshillit, me ‘Variantin 6’ përveç që dëmtohet lumi Drini i Bardhë, po ashtu edhe mbi 75 për qind të fshatrave të Rahovecit do të kenë vështirësi në qasje në “Autostradën e Dukagjinit” te pjesa që kalon kah kjo komunë. Këshilli thotë se disa nga fshatrat do të kenë qasjen më të afërt mbi 28 kilometra distancë deri në Autostradë.
Gjithashtu, sipas Këshillit, kostoja për ‘Variantin 6’ është më e shtrenjtë diku rreth 50 milionë euro.
Këshilli ka bërë të ditur se vetëm në dy pika në qendër të qytetit janë mbledhur mbi 2500 nënshkrime për vetëm një ditë.
“Ne nuk e kuptojmë pse Kryetari i komunës tonë e mbështet këtë variant duke e ditur që ky variant dëmton Rahovecin dhe se nuk i konvenon banorëve të kësaj komune. Sipas tyre ky variant i konvenon vetëm disa personave për përfitime personale dhe se këta persona kanë mbështetjen e kryetarit”, thuhet në njoftimin e Këshillit. “Organizimi i peticionit vetëm në dy pika në qendër të qytetit kundër ‘Autostradës së Dukagjinit’ për pjesën e Rahovecit për një ditë janë mbledhur mbi 2.500 nënshkrime. Shumë shpejt do të caktojmë datat kur do të vizitojmë secilin fshat të komunës tonë për të kërkuar mbështetje. Po ashtu, kemi përkrahjen e shumicës së fshatrave pasi ata do të dëmtohen më së shumti”, thuhet tutje në njoftim.
“Nuk do të ndalemi, kërkojmë nga të gjithë banorët e Komunës së Rahovecit të na bashkohen kundër kësaj katastrofe ekologjike që po i bëhet Drinit të Bardhë dhe kundër personave të caktuar që për të tyre do ta izolojnë ekonominë e Rahovecit përgjithmonë”, përfundon njoftimi i Këshillit.