Instituti GAP: Taksën prej 100 për qind po e paguajnë qytetarët e Kosovës

Instituti GAP ka mbajtur një konferencë për media ku ka prezantuar analizën “Taksa 100%: a po e ndihmon apo dëmton ekonominë e Kosovës?”.

Hulumtuesit e këtij instituti kanë thënë se taksën prej 100 për qind më së shumti po e paguajnë qytetarët e Kosovës për shkak se eksporti nuk është rritur, por janë rritur çmimet e produkteve, transmeton Klan Kosova.

Gjatë këtij takimi është theksuar se Kosova nuk e ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s për shkak se Serbia e ka kërcënuar sigurinë e Kosovës. Berat Thaqi nga Instituti GAP, ka thënë se Kosova duhet të kërkojë që të ri-negociohet kjo marrëveshje.

Reklama e sponzorizuar

“Kur është hartuar kjo taksë, nuk është menduar mirë dhe nuk ka pasur ndonjë analizë paraprake nga Qeveria se cilat do të jenë efektet e kësaj takse. Kosova nuk e ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s për arsye se Serbia e ka kërcënuar sigurinë e Kosovës në rastin Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, ka dhënë deklarata për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës”.

“Cilat janë efektet ekonomike prej taksës 100 për qind? Në bazë të shifrave, ne kemi parë se taksa nuk e ka ndihmuar prodhimin vendor. Ndërsa çmimet e produkteve në vend janë rritur”.

“Kosova nuk mund të largohet nga marrëveshja e CEFTA-s për shkak se është betuar se do ta respektojë atë. Mirëpo Kosova duhet ta kërkojë ri-negocimin e kësaj marrëveshje së bashku me vendet e tjera”.

“Sa i përket përfitimit vendor, niveli eksportit nuk është rritur, por janë rritur çmimet e produkteve. Pra kjo po i bie që banorët e Kosovës po e paguajnë taksën”.

“Duke u bazuar në të gjitha këto të gjetura, kemi rekomanduar që Qeveria të tentojë ta ri-negociojë marrëveshjen e CEFTA-s, sepse taksa nuk i ka dhënë përfitime ekonomike vendit”.