MZHE ia paguan zyrtarit të ministrisë ceremoninë e diplomimit në Londër

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, që udhëhiqet nga Valdrin Lluka, i ka kryer gjatë vitit 2018 një favor një zyrtari të ministrisë, i cili ishte në prag të kryerjes së masterit në Londër.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, kjo ministri ka aprovuar dhe paguar vlerën 538 euro për ushqim dhe akomodim, në emër të shpenzimeve për udhëtim zyrtar për ceremoninë e diplomimit/përfundimin e programit të masterit në Angli, përcjell Buletini Ekonomik.

Ndërsa ky udhëtim, sipas Auditorit, është jashtë detyrave dhe qëllimeve zyrtare. “Kjo ka ndodhur si rezultat i neglizhencës për të respektuar kërkesat ligjore”, thuhet në raportin e Auditorit për këtë ministri.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Udhëzimit Administrativ nr. 2004/07 për shpenzimet e udhëtimit zyrtarë jashtë vendit, neni 2 përcakton se udhëtimet zyrtare nënkupton udhëtimet të cilat kanë një destinacion apo qëllim i cili shërben për kryerjen e detyrave zyrtare në interes të Qeverisë së Kosovës dhe të shërbimit civil të Kosovës.

“Shpenzimet për udhëtime jo zyrtare janë në kundërshtim me ligjin dhe paraqesin dëmtim të buxhetit të ministrisë. Ministri duhet të siguroj respektimin e rregullave në fuqi që shpenzimet për udhëtime zyrtare të bëhen vetëm për qëllime zyrtare dhe për të gjitha shpenzimet e pa rregullta, të bëhet kthimi i mjeteve në buxhetin e ministries”, ka thënë Audotori. /Buletini Ekonomik/