Vëllait të Lumnije Thaçit i vazhdohet kontrata për antenë të Telekomit deri më 2022

Përveç pagës së majme që merr në KOSST, Besim Gërxhaliu, vëlla i Zonjës së parë, Lumnije Thaçi, ka siguruar të hyra edhe nga Telekomi, për disa vjet në të ardhmen.

KTV-ja raportoi muajin e kaluar se në pronën e tij, në fshatin Studime e Ulët e Vushtrrisë, ishte vendosur një prej 550 antenave për shpërndarje të rrjetit nga Telekomi.

Kohavisioni ka kuptuar se për një shërbim të tillë, Gërxhaliu është kompensuar me 250 euro në muaj.

Reklama e sponzorizuar

Në vitin 2017 atij iu vazhdua kontrata edhe për 5 vjet, por së fundi po paguhet 50 euro më pak.

“Kontrata e qirasë është vazhduar nga data 01.05.2017, me afat kohor 5 vjet, pra deri më 30.04.2022 . Pagesa mujore momentale e qirasë është 200 euro bruto, ndërsa deri më 31.03.2019, pagesa mujore ka qenë 250 euro bruto”, ka thënë Arsim Bilalli, zëdhënës në Telekom.

Sipas Bilallit, çmimi i qirasë përcaktohet në bazë të zonës dhe mbulueshmërisë që përfshijnë antenat.

KTV-ja ka kontaktuar me Gërxhaliun, në numrin e tij të zyrës në KOSTT, por i njëjti nuk ka dashur të flasë me arsyetimin se ka një mbledhje, ndërkaq më vonë nuk është përgjigjur fare në telefon.

Bazuar në formularin e deklarimit të pasurisë, Besim Gërxhaliu, i cili është drejtor i Departamentit të Transmisionit në KOSST, ka të punësuar edhe gruan në Telekom, në degën në Vushtrri.

Nga viti 2009, prej kur është vendosur antena në pronën e tij, Gërxhaliu, në këmbim, nga Telekomi ka marrë mbi 30 mijë euro.

KTV-ja raportoi se antena të Telekomit kishte edhe në pronën e vëllait të presidentit Hashim Thaçi, e gjithashtu në pronën e vëllait të ish-kryeministrit Agim Çeku.