KEK-u ka punësuar 106 persona për gjashtë muaj

Foto: Termocentrali "Kosova B"- KEK

Në Korporatën Energjetike të Kosovës nga janari i këtij viti janë angazhuar 106 punëtorë të rinj. Punësimi i tyre është bërë kryesisht në pozitat për prodhimin e energjisë dhe qymyrit. Profilet e të punësuarve janë inxhinierë e teknikë (të makinerisë, xehetarisë dhe elektroteknikës), si dhe manipulues të shiritave e operatorë, shkruan sot Koha Ditore.

Këto punësime kanë ngjallur reagime të shumta nga ana e banorëve të Obiliqit dhe të vetë kryetarit të kësaj komune, Xhafer Gashi. Jo se KEK-u vazhdon me punësime, por pse nuk u është dhënë përparësi banorëve të kësaj komune, përkatësisht pse nuk po respektohet Ligji për Obiliqin.

Reklama e sponzorizuar

Në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë thënë për gazetën se të gjitha punësimet janë bërë në bazë të ligjit.

Sipas drejtuesve të KEK-ut, 20 persona janë punësuar nga zona e Obiliqit pas plotësimit të kritereve të parapara në konkurs.Punësime në KEK kanë kërkuar edhe banorët e zonave të Hadës dhe të Shipitullës.

Në protestën e mbajtur ditë më parë, ata kanë thënë se duhet të respektohet vendimi i Qeverisë, i cili u jep përparësi pikërisht banorëve të këtyre lokaliteteve.

Por në KEK kanë sqaruar se Qeveria është njoftuar për kërkesën e 150 personave nga këto dy fshatra që kanë kërkuar punësim, si dhe për profilet e vendeve të lira të punës për dy vjetët e ardhshëm.