Ministria e Infrastrukturës në Kosovë ka pezulluar kalimin transit të autobusëve të Shqipërisë përkatësisht të atyre që niseshin nga Tirana për në Bajram Curr e që kalonin nga Gjakova.
Të shtunën në Vërmicë nuk janë lejuar të kalojnë kufirin 5 autobusë të tillë.
Argjend Zejnaj, shef i kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës ka thënë se operatorët nga Shqipëria asnjëherë nuk kanë pasur leje qarkullimi nëpër Kosovë nga autoritetet kosovare por vetëm nga ato të Shqipërisë.
“Për shkak që kemi pasur mirëkuptim i kemi lejuar që të kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Kosova ka pasur infrastrukturë më të mirë, por tani edhe ata kanë infrastrukturë të mirë dhe nuk mund të kalojnë nëpër Kosovë. Ata kanë bërë shkelje duke marrë edhe udhëtarë nëpër Kosovë, e duke dëmtuar kompanitë kosovare që paguajnë për licensë” ka thënë Zejnaj për KTV-në. /Koha/