Qeveria ndan 95 mijë euro për shtesat e disa zyrtarëve qeveritarë

Qeveria e Kosovës ka ndarë 95 mijë euro për kompensimin për punët shtesë dhe jashtë orarit të punës të zyrtarëve shtetërorë, të cilët do të merren me hartimin e akteve nënligjore dhe përgatitjeve për zbatimin e ligjeve për reformën e Administratës Publike.

Këto mjete janë ndarë nga Rezervat Shtetërore dhe janë bartur në Ministrinë e Administratës Publike, shkruan sot “Koha Ditore”.

Qeveria në vendim parasheh që të kompensojë anëtarët e Komisionit të themeluar nga Qeveria më 18 prill të këtij viti në shumë prej 500 eurosh në muaj dhe grupeve të punës, të cilat do të themelohen nga sekretari i përgjithshëm i MAP-it, sipas propozimit të Komisionit Ekzekutiv të përcaktuar me këtë vendim në shumë prej 300 eurosh në muaj, si dhe organizimin dhe mbështetjen e Komisionit Ekzekutiv për përgatitjen e akteve nënligjore për zbatimin e ligjeve për reformën e Administratës Publike.

Reklama e sponzorizuar

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se ky është abuzim. Qeveria PAN, sipas tij, po ndan mjete për të kompensuar zyrtarët për punën për të cilën ata e marrin pagën e rregullt.