Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, e ka dënuar me 13 muaj burgim efektiv dhe 400 euro gjobë të akuzuarin për vjedhje dhe vjedhje grabitqare, Berat Gashi.
Për veprën penale të vjedhjes, Gashi u dënua me 3 muaj burgim efektiv dhe 200 euro gjobë.
Ndërsa për veprën penale të vjedhjes grabitqare, ai u dënua me 12 muaj burgim efektiv dhe 200 euro gjobë.
Gjykatësi Alban Ajvazi i shqiptoi të akuzuarin dënimin unik prej 13 muaj burgim efektiv dhe 400 euro gjobë.
Sipas aktgjykimit, pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.
Kurse, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, i akuzuari Gashi e kishte pranuar fajësinë për veprat me të cilat ngarkohet, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 24 korrik 2019.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 nëntor 2016, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Berat Gashi akuzohet se më 3 maj 2015, në Qendrën Tregtare “Super Viva” në Prishtinë, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme dhe që vetit ti sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, i ka vjedhur tri koka “Gillete Match 3”, të cilat i ka fshehur nën trup dhe padiktueshëm ka dal nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “vjedhja”, nga neni 325 paragrafi 1 të KPRK-së.
Tutje, prokuroria e ngarkon të akuzuarin edhe me veprën penale “vjedhje grabitqare”, nga neni 328 paragrafi 1 të KPRK-së, sepse sipas saj, më 10 maj 2015, në vendin e njëjtë i akuzuari kishte vjedhur nga raftet e higjienës pesë koka “Gillete Match”, në vlerë prej 41.25 euro, të cilat i ka fshehur nën maicë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari ishte vërejtur nga kamerat e sigurisë dhe duke tentuar ta kalojë arkën e blerjes pa e kryer pagesën, kur roja i sigurimit i ka kërkuar që të ndalet, i njëjti me qëllim që pasurinë e vjedhur ta mbajë, e ka përdorur forcën në atë mënyrë që e ka shtyrë me të dy duart sigurimin, Jeton Lipovica dhe e ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit.
Në aktin akuzues thuhet se kur Liridon Jashanica dhe Sevdaim Shabani e kanë ndihmuar rojën e sigurimit, duke e mbajtur të akuzuarin për ta vënë në kontroll, është lajmëruar Policia e Kosovës, ndërsa i akuzuari me kanosjen serioze i është drejtuar Liridon Lipovicës “kom me të vra, kom me ta kallë shtëpinë,…”. /Gazeta Express/