Ish-anëtari i Bordit të Telekomit, Fidel Krasniqi, ka alarmuar se rrjeti fiks i Telekomit po i vihet në dispozicion “Art Motion”, kompanisë më të re në tregun e telekomunikacionit, pronë e Devollëve.
Sipas tij, njëra ndër kontratat që i ishte ofruar Telekomit nga strukturat e brendshme me kërkesën si: marrja me “qera” e krejt rrjetit të Telekomit nga ana e Art Motion, sot si duket po jetësohet.
Krasniqi, në rrjetin e tij social facebook, ka shkruar se e kishte kundërshtuar kategorikisht këtë kontratë që nga fillimi, në kohën sa ishte Drejtor Bordi në Telekom, e që ai për këtë vendim ishte bazuar në njohuritë e tij profesionale, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas Krasniqit, marrja me “qera” e krejt rrjetit të Telekomit nga ana e Art Motion do të thotë dorëzimi komplet i rrjetit fiks të Telekomit (duke përfshirë të gjitha fijet optike) dhe se intervenimi në këtë rrjet të Telekomit nga ana e Art Motion, pa praninë e stafit teknik të Telekomit do të thotë posedim komplet i rrjetit të Telekomit nga ana e Art Motion. Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se ky dorëzim i rrjetit në aspektin strategjik dhe komercial është shumë më i dëmshëm se sa kontrata me ZMobile, pra rrjetit Mobil.
Ai ka cekur dy raste kur mund të ndodhë ky degradim, si:
1.Kryeshefi i Telekomit është tepër naiv dhe i papërgaditur për punën që e kryen.
2. Kryeshefi dhe rrethi i vet janë tepër të përgaditur që në mënyrë të pa vërejtur rrjeti i Telekomit të rrëshqasë drejt Art Motion”, ka sqaruar Krasniqi.
Sipas tij, rrjeti fiks është shumë më i vlefshëm se sa rrjeti mobil në aspektin e të hyrave dhe funksionalizimit. /Buletini Ekonomik/