Kush, si dhe sa përfiton nga “shpërblimi” për mësimdhënësit e viteve të 90-ta

Mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 90-ta, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, do të mund të aplikojnë për të përfituar nga Ligji për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999.

Këshilltari i ministrit të Arsimit, Valmir Gashi, në një prononcim për Telegrafin ka treguar se përfituesit e kompensimit shtesë kategorizohen bazuar në vitet e punës së tyre nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, ku për çdo vit pune, mbi pensionin që realizojnë, përfitojnë shumën e përqindjes së pagës bazë në arsimin fillor të Republikës së Kosovës.

“Një (1) vit pune 3.46%, dy (2) vite pune 5.19%, tre (3) vite pune 6.91%, katër (4) vite pune 8.64%, pesë (5) vite pune 10.37%, gjashtë (6) vite pune 12.10%, shtatë (7) vite pune 13.83%, tetë (8) vite pune 15.56%, nëntë (9) vite pune 17.28%”, ka sqaruar Gashi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, pagesa e kompensimit shtesë është mujore dhe varet nga përqindja e përfituesit.

I pyetur se sa do të zgjasë afati i aplikimit dhe selektimit të punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999 dhe kur pritet të bëhet ekzekutimi i pagesave, ai tha: “Afati është i përhershëm, varësisht nga personi e cili mbush moshën për pension kontributdhënës dhe kërkesa për kompensimin shtesë për vitet 1990/91 deri 1998/99”.

Ndërkaq, siç tha Gashi, kërkesën për kompensim shtesë për kategoritë e përcaktuara me këtë ligj, mund ta parashtrojë përfituesi apo personi i autorizuar nga ai, ose bashkëshorti/ja pas vdekjes së përfituesit.

“Neni 9 paragrafi 3 e Bashkëshorti/ja, pas vdekjes së përfituesit, është i/e obliguar të informojë me shkrim administratën e pensioneve të Kosovës për çdo ndryshim të rrethanave të cilat ndikojnë në fitimin e të drejtës për marrjen e kompensimit shtesë”, ka thënë ndër të tjera për Telegrafin, këshilltari i ministrit të Arsimit, Valmir Gashi.

Ndërkaq, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar të gjithë ish-punëtorët e arsimit shqip të Republikës së Kosovës që kanë punuar për periudhën 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, se nga data 15.08.2019 MPMS fillon zbatimin e Ligjit Nr.06/L-073 për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës.

Andaj, siç thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi, me qëllim të realizimit të kësaj të drejte, “njoftoheni se kërkesat për kompensim shtesë mund të dorëzohen në zyrat më të afërta të pensioneve”.

Po sipas njoftimit, personat që paraqesin kërkesat prej datës 15.08.2019 deri më 31.11.2019, aq sa është i hapur afati, do ta realizojnë të drejtën për kompensimin në mënyrë retroaktive, që nënkupton nga data e hyrjes në fuqi të ligjit Nr.06/L-073 për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës, (prill 2019).

Ndryshe, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka nënshkruar udhëzimin administrativ i cili përcakton kushtet e aplikimit për të përfituar nga Ligji për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999. /Telegrafi/