Ekonomisti amerikan, Milton Friedman (1912-2006), “mbrojtësi i zjarrtë i liberalizmit”, i laureuar me çmimin “Nobel” në ekonomi në vitin 1976, vlerësohet si një nga ekonomistët më të spikatur dhe më influentë të shek. XX. Cilësohet si themeluesi i korrentit monetarist dhe shkollës monetariste të Çikagos. Dy nga veprat e tij më të famshme janë “Kapitalizmi dhe liria”, ku shpjegohet thelbi i teorisë së tij, sipas së cilës “në një ekonomi tregu, zvogëlimi i rolit të shtetit është mjeti i vetëm për të arritur lirinë politike dhe ekonomike”; dhe një seri bisedash publike të mediatizuara në vitin 1980, gjatë së cilave u nënvizua “superioriteti i liberalizmit ekonomik mbi sistemet e tjera ekonomike”. Mendimi ekonomik liberal i Friedman-it është oponenti kryesor i “keynesianizmit”. Në përgjigje të “funksionit keynesianist të konsumit”, ai zhvilloi teorinë e tij të “të ardhurave permanente”, me të cilën kundërshtoi “politikën e nxitjes së rritjes ekonomike dhe punësimit nëpërmjet shpenzimeve publike”, politikë që për Friedmanin, nuk bënte gjë tjetër veçse rriste inflacionin, ndërkohë që ai ishte armiku kryesor që duhej luftuar. Si alternativë, ai propozoi vendosjen e një përqindjeje konstante rritjeje të masës monetare.
Idetë dhe teoria e Friedmanit u bënë shumë të vlerësuara e përhapura në partitë dhe lëvizjet konservatore e liberale në shumë vende të botës, sidomos në vitet 1980-2005. Vlerësimet dhe analizat e tij për monetarizmin, fiskalitetin, privatizimet, qeverinë e vogël, liberalizimin e tregut, iniciativën e lirë etj., u bënë baza e reformave ekonomike dhe qeverisjes së Ronald Reaganit në SHBA. Friedman ishte këshilltari kryesor i presidentit Reagan gjatë dy mandateve të tij, duke influencuar së tepërmi në politikat ekonomike e financiare të tij. E famshmja “Reaganomics” mbështetej në teorinë e Friedmanit mbi reduktimin e rolit të qeverisë në ekonomi, uljen e taksave, derregullimin e ekonomisë, politikat monetariste kundër inflacionit. Margaret Thatcher në Britaninë e Madhe, Augusto Pinocheti dhe “Chicago boys” në Kili zbatuan 100% recetat dhe teoritë e Friedman-in në transformimin liberal të ekonomisë dhe financave në Kili. Më 1977-n, Friedman publikon një libër të titulluar “Kundër Galbraith-it” në të cilin ai propozon që Britania e Madhe mund të dilte nga gjendja e vështirë ekonomiko-financiare e sociale duke zbatuar “terapinë e Choc-ut” të ngjashëm me reformat e Pinochet dhe “Chicago boys” në Kilin post-Allende. Edhe Friedrich Hayek që ishte kundra çdolloj autoritarizmi apo diktature në emër të lirisë, e vlerësonte mendimin e Friedman-it duke nënvizuar se, “një diktator mund të qeverisë në një mënyrë liberale, ndërsa një demokraci pa liberalizëm do ishte pa kuptim. Preferenca ime personale është një diktaturë liberale dhe jo një qeveri demokratike që nuk respekton asnjë standard lirie”.
Friedman është nga ekonomistët më të vlerësuar në shkallë ndërkombëtare. Më 1951, ai nderohet me medaljen “John Bates Clark” me motivacionin “për kontribut të veçantë në mendimin dhe njohuritë ekonomike”, një çmim special që u jepej ekonomistëve të rinj amerikane; në 1976 ai merr çmimin “Nobel” në ekonomi, ndërkohë që në vitin 1988 vlerësohet me “Presidential Medal of Freedom” dhe po atë vit, me “National Medal of Science”.Gazeta britanike “The Economist” e cilëson si “ekonomisti më influent i gjysmës së dytë të shek. XX”, ndërkohë që Alan Greenspan, guvernatori i Fed në vitet 1987-2006, pohon se në jetën dhe dijen e tij, “Friedman bën pjesë në ata pak persona, idetë e të cilëve janë aq origjinale sa të ndryshojnë dhe drejtimin e civilizimeve”. “Kato Institute” e vlerëson me një çmim special për personalitetet e mëdha të jetës shoqërore e ekonomike në vitin 2001, ndërsa “Enciklopedia Britanike” duke folur për liberalizmin, nënvizon se “Friedman së bashku me Friedrich Hayek janë aktorët kryesorë që bënë të mundur lindjen e liberalizmit klasik të shek. XX. Guvernatori i Kalifornisë, Arnold Schwarzeneger, për të nderuar veprën dhe ndikimin e Friedmanit në mendimin ekonomik bashkëkohor dhe politikat publike, shpalli 27 janarin 2007 si “ditën e Milton Friedmanit”. Friedman mban dhe një numër titujsh “Honoris Causa” të dhënë nga Universiteti Rutgers në vitin 1968, universiteti hebraik i Jerusalemit në 1977, universiteti Francisco-Marroquin më 1978-n, Universiteti Harvard më 1979, Universiteti i Ekonomisë në Pragë, më 1997-n etj.
Megjithëse studimet bazë universitare i kreu në fakultetin e matematikës, Friedman e vijoi karrierën e tij si student i ekonomisë në Universitetin e Çikagos, të kompletuar më vonë me një specializim në statistikë në universitetin e Columbia-s. Gjatë kësaj periudhe ai influencohet dhe bashkëpunon me ekonomistë të shquar si Jacob Viner, Henry Schultz, Frank Knight, Henry Simons dhe veçanërisht me George Stigler, me të cilin themelon dhe shkollën e Chicagos. Gjatë periudhës që pasoi “depresionin e madh” të viteve 1929-33, Friedman fillimisht e pranoi platformën e “New Deal” të Presidentit Roosvelt e cila synonte nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe uljen e papunësisë në SHBA, por disa vite më vonë ai e kundërshton me forcë formulën e zgjidhjes dhe politikat e ndërmarra nga Roosvelti, duke argumentuar se “depresioni i madh” u shkaktua pikërisht nga administrimi i keq i parasë, oferta e së cilës duhet të shtohej dhe jo të zvogëlohej. Friedman e shpjegoi tezën dhe qëndrimin e tij në librin “Historia monetare e SHBA” të botuar në vitin 1963. Më vonë Friedman punon si profesor i ekonomisë në Universitetin e Çikagos, ku krijon dhe “shkollën monetariste të Çikagos” në të cilën u atashuan si kolegë dhe bashkëpunëtorë të tij dhe ekonomistë nga më të shquarit, nobelistë në ekonomi, si George Stigle,Ronald Coase, Gary Becker, Robert Lucas etj.
Friedman u bë i njohur dhe i vlerësuar në shkallë ndërkombëtare me botimin e librit “Kapitalizmi dhe liria”, ku shfaqet si një mbrojtës i zjarrtë i kapitalizmit liberal dhe kritikues i ashpër i “New Deal” dhe “shtetit–tutor” që ai prodhoi. Ai shkëlqeu dhe si analist ekonomik në revistën “Newsweek” në të cilën për shumë vite rresht debatoi me Paul Sameulson-in duke u bërë një nga ekonomistët më të vlerësua në SHBA, vlerësim që u shoqërua me postin e Presidentit të “American Economic Association” në vitin 1967. Në kontekstin e stagflacionit anglez të viteve 1968 dhe atij amerikan të viteve 1970, idetë monetariste të Friedmanit u bënë dominuese duke spostuar “keynesianizmin”, që ishte teoria dominuese e kohës. Në 1976, Friedman laureohet me çmimin “Nobel” në ekonomi për “punimet e tij në analizën e konsumit, historinë monetare dhe demonstrimin e kompleksitetit të politikave stabilizuese”.
Friedman nënvizonte vazhdimisht se “për liberalët, njeriu është një qenie joperfekte”, nga e cila nxirrte konkluzionin se mosbesimi te qeveria dhe planifikimi apo mekanizmat e tjerë rregullues e imponues të tregut apo shoqërisë në tërësi, buron pikërisht nga fakti se ata janë në duart dhe pushtetin e pak njerëzve. Nga kjo buron dhe preferenca e tij për tregun e lirë si i vetmi institucion i aftë që të mbrojë konsumatorët, garantojë konkurrencën dhe shtojë eficencën. Por, Friedman nuk i ka mohuar kurrë aspektet negative që mund të prodhojë liria absolute e tregut duke theksuar se “është e gabuar ideja se individët që mbrojnë me vendosmëri tregun e lirë janë në favor të gjithçkaje që ai mund të prodhojë apo shkaktojë”. “Preferenca ime për lirinë ekonomike dhe tregun e lirë synon pikërisht evitimin e mundësive që disa njerëz jo-perfektë të vendosin për gjithçka, të përcaktojnë rregullat e tregut dhe sjelljen e bizneseve dhe konsumatorëve në treg”.
Në 1980, boton librin “Free to Choose” që i dedikohet funksionimit të tregut të lirë dhe zgjidhjes së problemeve nga ky treg. Libri u frymëzua nga një seri emisionesh televizive që Friedman dhe gruaja e tij Rose Friedman animuan gjatë vitit 1980. Ky tekst prej 300 faqesh jep shembuj të shumtë dhe mjaft të goditur se si funksionon tregu i lirë dhe si zgjidhen problemet ekonomike nëpërmjet lirisë së tregut, duke treguar njëkohësisht edhe ineficencën e sistemeve të tjera ekonomike për zgjidhjen e problemeve të kësaj natyre. I ndarë në 10 kapituj, libri trajton problematikën që varion nga përdorimi abuziv i pushtetit dhe vendimmarrjes në FED gjatë depresionit të madh dhe sidomos asaj të ngushtimit të masës monetare, në trajtimin e çështjes së mirëqenies dhe kritikën e politikave të “shtetit-tutor”, tek efektet negative të ngushtimit të lirive individual dhe domosdoshmërisë së rikthimit drejt “liberalizmit”e, dhe së fundi tek roli i shpenzimeve publike dhe kontrollit ekonomik shtetëror. Në 1980 ky libër u shpall si “libri i vitit”, u shit menjëherë në më shumë se 400000 kopje dhe u përkthye në 12 gjuhë të botës. Kryeministri i Estonisë, Mart Laar, një admirues i Friedmanit do të deklaronte disa vite më vonë se “i atribuonte këtij libri suksesin e reformave që e bënë Estoninë një “tigër baltik”.
Friedman njihet për punimet e tij në lidhje me monedhën dhe veçanërisht për “teorinë sasiore të monedhës” me anë të së cilës shpjegon thelbin e lëvizjes së çmimeve dhe variacionet e masës monetare. Ai nënvizon se variacionet e aktivitetit ekonomik nuk varen nga variacionet e investimeve, por nga oferta monetare. Friedman mendonte se kërkesa për para është stabël, prandaj çdo rritje e ofertës monetare nuk i shton arkëtimet reale të agjentëve, të cilët e përdorin monedhën suplementare që disponojnë për konsum, çka përkthehet thjesht si një rritje e çmimeve. Friedman u përpoq ta verifikonte tezën e tij dhe t’i publikonte rezultatet e këtij verifikimi empirik në dy libra : në 1963 tek “A Monetary History of the United States, 1867-1960”, dhe në 1970 tek “The Counter-Revolution in Monetary Theory”.Ai studio 18 cikle ekonomike dhe arriti në konkluzionin se ngritja ekonomike (faza e lartë e ciklit) dhe kriza (faza e poshtme e ciklit) parapriheshin nga të njëjtat faza të masës monetare. Në këtë aspekt, tregohet mjaft kritik ndaj politikave ekonomike e financiare të ndërmarra gjatë “depresionit të madh” në vitet 1930, sepse sipas tij, “Fed, në vend që të përdorte pushtetin e tij për të kompensuar krizën, bëri të kundërtën, e reduktoi me një të tretën masën monetare të SHBA në periudhën 1929-‘33…më shumë sesa një dështim i tregut dhe sipërmarrjes së lirë, kjo krizë ishte një dështim tragjik i veprimit të Shtetit.
Friedman dhe shkolla e Çikagos mbrojnë pozicionin se është e panevojshme, bile e dëmshme që t’i kërkosh Shtetit të mbështesë aktivitetin ekonomik duke shtuar shpenzimet dhe ndërhyrjen e tij në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Përkundrazi, roli thelbësor i Shtetit është administrimi racional i evolucionit të masës monetare në qarkullim dhe kontrolli i volumit të saj. Në teorinë monetare të Friedmanit gjendet e sintetizuar rinovimi i teorisë sasiore të monedhës – e trajtuar edhe nga shkolla e Salamankës, nga ekonomistët Jean Bodin, William Petty apo Irving Fisher – me kundërshtimin e ideve të shkollës keynesianiste për rolin e Shtetit dhe parasë. Politika monetare duhet të orientohet në mënyrë të tillë që masa monetare të zgjerohet rregullisht me një përqindje pak më të lartë (5 %) në vit për rastin e SHBA) se Prodhimi Kombëtar Bruto. Një politikë e tillë mund ta mbajë të kontrolluar inflacionin dhe stimulojë aktivitetin ekonomik, ndërkohë që politikat e shtrëngimit apo rigorozitetit buxhetor nuk mund t’i arrijë këto objektiva.
Në punimet mbi ekuacionin e teorisë sasiore të parasë, Friedman nxori konkluzionin se inflacioni është fenomen me origjinë monetare duke provuar gjithashtu dhe lidhjen që ekziston ndërmjet inflacionit dhe parasë. Për pasojë, ai mbrojti idenë e një politike monetare të bazuar në ofertën e parasë duke u bërë kështu avokati kryesor i monetarizmit, një shkolle të mendimit ekonomik e cila, duke u bazuar në teorinë sasiore të parasë, konkludon se inflacioni duhet të kontrollohet nëpërmjet madhësisë së emetimit monetar nga Bankat Qendrore, duke e reduktuar së tepërmi rolin e qeverive në sferën monetare e ekonomike. Për Friedmanin, politika monetare paraqet një instrument thelbësor për të luftuar inflacionin, ndërkohë që nuk ka efekte të qëndrueshme mbi aktivitetin ekonomik, për pasojë ajo nuk është e këshillueshme të përdoret për rregullime e objektiva konjukturore. Ai nuk shprehet dakord për parimin e lirisë bankare dhe vlerëson se është legjitime që shteti të ketë një lloj monopoli në emetimin e monedhave.
Punimet e Friedmanit dhe Edmund Phelps-it u përqendruan dhe në problematikën e “kurbës së Philips-it” dhe përqindjen natyrore të papunësisë. Veçanërisht në librin “The role of monetary policy”(1968), Friedmani nënvizon se kurba e Philipsit shfaq një sjellje tranzitore jo stabël : ajo funksionon në kushtet kur agjentët ekonomikë nuk e kanë parashikuar përqindjen e inflacionit dhe për pasojë nuk i kanë adoptuar sjelljet e tyre në përputhje me këtë përqindje. Në periudha afat-shkurtra, arbitrazhi zhvillohet ndërmjet papunësisë dhe inflacionit të pa parashikuar. Ndërsa në periudha afat-gjata nuk ekziston një arbitrazh ndërmjet papunësisë dhe inflacionit, sepse “përqindja natyrore e papunësisë varet vetëm nga kushtet strukturore të ekonomisë”, dmth., nga variablat reale dhe jo ato monetare, dhe këto variabla zor se ndikohen nga politikat konjukturore, siç është p.sh., ajo monetare. Termi “natyrore” për të cilësuar papunësisë u përdor nga Friedman për të evidentuar faktin se përqindja e konstatuar e papunësisë korrespondon me një pozicion spontan të ekonomisë në mungesë të politikave specifike të ndërmarra nga qeveria apo shteti.
Friedman, në kuadër të realizimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve, është dhe një mbrojtës i vendosur i “Policy-mix”, dmth., kombinimit të politikave monetare me politikat buxhetore. Një kombinim i tillë konsiston në një buxhet të ekuilibruar dhe në një politikë monetare që mban në kontroll inflacionin. Në këtë kuadër, ai mbron tre teza të rëndësishme : politikat ekonomike nuk duhet të kenë objektiv punësimin e plotë, por të orientohen drejt stabilizimit të rritjes ekonomike dhe të ardhurave nominale; objektivi i mësipërm duhet të shoqërohet detyrimisht nga një politikë monetare efektive; politika monetare duhet të garantojë një rritje konstante të masës monetare por duke qenë e kujdesshme për kontrollin e ecurisë së agregateve monetare, sidomos kur kërkesa monetare manifeston luhatshmëri të fortë. Monetarizmi i Friedmanit rehabilitoi politikat monetare në raport me politikat buxhetore të privilegjuara nga Keynes-i.
Friedman cilësohet me të drejtë si një nga “avokatët më të shquar të liberalizmit” duke i dhënë atij një kuptim modern. Shprehjes së famshme të Presidentit Kennedy “mos kërkoni se çfarë vendi juaj mund të bëjë për ju, por kërkoni se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj”, Friedman iu përgjigj se formulimi më i saktë i saj duhej të ishte: “për t’u zhveshur sadopak nga përgjegjësitë tona individuale, për të arritur disa nga qëllimet tona, për të realizuar dëshirat tona, dhe mbi të gjitha për të ruajtur lirinë tonë…cila do të ishte rruga më e mirë për të përdorur qeverinë tonë?”. Limitimi dhe decentralizimi i pushtetit janë kushtet esenciale të ruajtjes së lirisë. Aksioni qeveritar nuk mund të riprodhojë kurrë diversitetin dhe shumëllojshmërinë e aksioneve individuale. Qeveria me ndërhyrjet e saj natyrisht që mund të përmirësojë nivelin e jetës së shumë individëve duke imponuar norma e rregulla uniforme në lidhje me arsimin, shëndetësinë, banimin, ushqimin, etj., por në fund të fundit, e gjithë kjo të çon në zëvendësimin e progresit nga stanjacioni, dhe eliminimin e diversitetit nga uniformiteti. Në të kundërt, është logjika konkurruese e kapitalizmit ajo që e stimulon më shumë se çdo gjë këtë diversitet. Uniformiteti dhe diversiteti janë dy elemente të rëndësishme në interpretimet dhe analizat e Friedmanit. Sipas tij, sfera politike ka tendencë të veprojë nën ndikimin e logjikës uniformizuese, ndërsa sfera ekonomike është gjithmonë e stimuluar nga diversiteti, dhe pikërisht për këtë arsye, duhet evituar në maksimum sundimi dhe drejtimi i ekonomisë nga politika.
Për Friedmanin, liria ekonomike dhe ajo politike janë të lidhura me njëra-tjetrën. Regjimet politike kanë korrespondencën e tyre “të detyruar” me regjimet ekonomike. “Socializmi demokratik” është një koncept iluzor, sepse një shoqëri socialiste nuk mund të jetë demokratike dhe të garantojë liritë individuale. Nuk ka liri politike e demokratike pa liri ekonomike, ashtu siç nuk ka liri ekonomike pa liri politike. Çdo shoqëri që pretendon se mbron liritë politike duhet të mbrojë edhe lirinë e tregut. Relacionet ndërmjet lirisë ekonomike dhe lirisë politike nuk mund të jenë të njëanshme. Qeveria duhet të luajë rolin e arbitrit për të respektuar rregullat e lojës së lirë ekonomike,të bëjë atë që tregu nuk mund ta realizojë, përcaktimin e rregullave të tregut dhe survejimin e aplikimit korrekt të tyre. Pra, të garantojë kontrollin e shoqërisë mbi tregun dhe orientimin e tij drejt plotësimit të interesave vitale të shoqërisë.
Kapitalizmi dhe liria
Është një nga librat më të shquar të Friedman-it i publikuar në 1962. Teza kryesore e tij është se “liria ekonomike është kusht i domosdoshëm për liritë politike. Duke iu adresuar një publiku shumë më të gjerë se sa thjesht ekonomistëve, Friedman bën në këtë vepër apologjinë e liberalizmit, duke zhvilluar akoma më tej punimet dhe idetë e ekonomistëve dhe liberalëve të shquar si Frank Knight, Friedrich Hayek, George Stigler etj. Libri u shkrua 15 vjet mbas përfundimit të luftës së II-të botërore dhe vetëm 30 vite mbas depresionit të madh që tronditi rëndë SHBA dhe botën. Në këtë kohë, klima politike e intelektuale dominohej nga idetë keynesianiste të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, tek nxitja e zhvillimit dhe punësimit nëpërmjet investimeve publike, etj. Kjo shpjegon dhe faktin se përse në këto vite libri nuk u prit me entuziazëm dhe nuk u vlerësua, ndërkohë që mbas viteve 1975 ai u bë një bestseller i shumëkërkuar. Rëndësia dhe vlera e librit u ripërtërinë në vitet 1990, kur si pasojë e shembjes së murit të Berlinit dhe Bashkimit Sovjetik, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore u angazhuan në reforma drastike « nga planifikimi i centralizuar drejt tregut të lirë » duke zbatuar mjaft nga rekomandimet dhe politikat e parashtruara nga Friedman. Libri u cilësua si një nga 10 librat më të rëndësishëm të shek. XX, dhe si më influencues të shkruar mbas Luftës II Botërore.
Elementet kryesore të trajtuara në libër janë: Lidhjet ndërmjet lirisë ekonomike dhe lirisë politike në të cilën Friedman mbron lirinë ekonomike si domosdoshmëri për të patur dhe lirinë politike. Nëse mjetet e prodhimit zotërohen nga Shteti, asnjë lloj disidence nuk mund të shprehet. Roli i qeverisë në një shoqëri të lirë. Për Friedmanin, në një shoqëri të lirë, Shteti duhet të garantojë respektimin e ligjit, të drejtat dhe të garantojë pronën private. Ai duhet të luftojë kundër monopoleve dhe kundër devijimeve të tregut. Kontrolli i monedhës. Trajton çështjet e krijimit monetar në SHBA, veçanërisht kontrollin e ushtruar nëpërmjet Federal reserve Act të vitit 1913. Shprehet shumë kritik ndaj veprimit të Fed në gjithë veprimtarinë e tij dhe mbron idenë se masa monetare duhet të shtohet çdo vit në masën 3-5%. Tregtia ndërkombëtare dhe marrëveshjet tregtare. Shprehet dakord me fundin e sistemit të Bretton Woods dhe zëvendësimin e tij me sistemin e këmbimit luhatës si dhe me heqjen e barrierave proteksioniste në tregti. Politika fiskale. Friedman pozicionohet kundër rritjes së shpenzimeve publike dhe kundër justifikimit se kjo bëhet në interes të nevojave të ekonomisë. Për të, shpenzimet qeveritare veprojnë në sens të kundërt, dmth ndikojnë në destabilitetin e ekonomisë. Ai hedh mjaft dyshime mbi teorinë keynesianiste të multiplikatorit, duke nënvizuar se rritja e shpenzimeve të qeverisë është në të njëjtën linjë me rritjen ekonomike. Roli i qeverisë në edukim. Mbron politikën e “çekut për edukim”, një shumë financiare që studentët mund ta përdorin për të financuar studimet e tyre në universitetet apo shkollat që dëshirojnë apo i vlerësojnë si më të mirat. Friedman mendonte se një sistem demokratik, shkollimi ishte një domosdoshmëri dhe në këtë kuadër propozon disa zgjidhje se si mund të realizohet në mënyrë masive e cilësore edukimi. Kapitalizmi dhe diskriminimi. Vlerëson se kapitalizmi është sistemi më i mirë për të evituar diskriminimin, sepse ai e bën “shumë të kushtueshme” sjelljen dhe veprimet diskriminuese. Monopolet dhe përgjegjësia sociale e ndërmarrjeve dhe punonjësve. Friedman dallon tre tipe monopolesh: monopolet publike, private dhe ato të rregullimit publik. Monopolet me origjinë shtetërore duhet të jenë sa më të limituara, ndërkohë që doktrina e “përgjegjësisë sociale”, sipas së cilës ndërmarrjet duhet të preokupohen për “shoqërinë” dhe jo për fitimin e tyre është e dëmshme sepse të çon drejt totalitarizmit. Profesionet e rregulluara. Mbron qëndrimin radikal kundër rregullimit të disa profesioneve, pasi një veprim i tillë dëmton dhe topit konkurrencën, veçanërisht në fushën e mjekësisë. Rishpërndarja e të ardhurave. Këtu Friedman interesohet për efektet e taksës progresive në procesin e shpërndarjes së të ardhurave duke u pozicionuar krejtësisht në favor të taksës së sheshtë. Politikat e shtetit tutor. Shprehet mjaft skeptik për efektet e politikave të mbështetjes sociale dhe rolit real të tyre tek ata që kanë realisht nevoja sociale. Reduktimi i varfërisë. Duke kompletuar analizat dhe komentet mbi taksën e sheshtë, Friedman mbron idenë e “taksave negative mbi të ardhurat” në mënyrë që të përfitojnë të varfërit dhe ata me të ardhura të pakta.
Konkluzion: progresi vjen nga njerëzit e lirë, nga tregu i lirë dhe jo nga shteti dhe ndërhyrja qeveritare në ekonomi.
Shkruar nga: Adrian Civici, profesor i shkencave ekonomike