Zyrtare: Telekomi nuk e vazhdon kontratën me Z-Mobile

Kryetarja e bordit të Telekomit, Besa Shatri-Berisha, ka njoftuar zyrtarisht se Telekomi i Kosovës ka shpallur të pasuksesshme negociatat me Z-Mobilen dhe i ka dhënë fund kontratës me këtë kompani.

“Bordi i Drejtorëve njofton publikisht se pas një periudhe gjashtëmujore të negociatave palët s’kanë arrit marrëveshje mbi kushtet e reja prandaj sot kryeshefi ekzekutiv bazuar në vendimin e bordit të drejtorëve ka dërguar njoftimin zyrtar për shpalljen e pasuksesshme të negociatave dhe përfundimin e kontratës me Z-Mobile nga data 31 korrik 2019”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Reklama e sponzorizuar

Kryeshefi ekzekutiv, Bedri Istrefi, ka thënë se me këtë vendim s’duhet të ketë asnjë shqetësim për klientët dhe se ka ftuar edhe punëtorët e Telekomit të ndërpresin grevën e të vazhdojnë punën.

“Në mbledhjen e bordit është marrë vendim të autorizohet kryeshefi dhe në bashkëpunim me ekspertët ligjorë që i kemi pas gjatë procesit në harmoni të plotë me veprimet ligjore, kemi marrë vendim bashkërisht bordi e menaxhmenti që sot gjatë ditës, edhe është njoftuar operatori Dardafon, që pas dështimit të negociatave për gjashtë muaj që kemi pas, ne këtë kontratë e shpallim të përfunduar dhe pa asnjë obligim kontraktual”, ka thënë ai. “Klientët e Dardafonit të mos shqetësohen e të mos bien pre e dezinformatave. Bashkë me ARKEP-in po punojmë të implementojmë edhe fazën e tranzicionit që do të zgjatë nga 30 deri 120 ditë. Konsumatorët që kanë shërbimet e tyre, s’do t’u ndërpriten deri në përfundim të tranzicionit”.

Istrefi po ashtu ka paralajmëruar padi për humbjet e shkaktuara ndaj Telekomit.