Secila qeveri, dhe autoritetet zyrtare, që nga viti 2009 kur kanë filluar punimet për ndërtimin e rrugës që lidh Prishtinën, Vushtrrinë dhe Mitrovicën dhe fshatrat e këtyre dy qendrave komunale, premtuan përfundim më të shpejtë të punëve në këtë magjistrale, parashikuan edhe afate të reja, por ende, edhe pas 14 vjetëve punimet rreth zgjerimit të kësaj rruge, nuk dihet saktësisht se kur do të përfundojnë më në fund. Ndërsa zyrtarët aktual qeveritar dhe autoritetet kryesore të Ministrisë së Infrastrukturës, vazhdojnë të përcaktojnë afate të reja përfundimtare, duke i ndryshuar ato kur dhe si t’u teket, sa herë dalin në opinion dhe janë të paqartë fare rreth fatit të kësaj rruge aq të rëndësishme, jo vetëm për këtë rajon të vendit.
Mehmet GJATA
Rruga nacionale Prishtinë – Mitrovicë tashmë është bërë histori dhe një ndër storjet më të këqija të zvarritjes pafund të kryerjes së punëve sipas parashikimeve, afateve dhe premtimeve zyrtare. Secila qeveri, dhe autoritetet zyrtare, që nga viti 2009 kur kanë filluar punimet për ndërtimin e rrugës që lidh Prishtinën, Vushtrrinë dhe Mitrovicën dhe fshatrat e këtyre dy qendrave komunale, premtoi përfundim më të shpejtë të punëve në këtë magjistrale, parashikoi edhe afate të reja, por ende, edhe pas 14 vjetëve punimet rreth zgjerimit të kësaj rruge nuk dihet saktësisht se kur do të përfundojnë më në fund. Ndërsa zyrtarët aktual qeveritar, autoritetet kryesore të Ministrisë së Infrastrukturës, vazhdojnë të përcaktojnë afate të reja përfundimtare, duke i ndryshuar ato kur dhe si t’u teket, sa herë dalin në opinion dhe të jenë të paqartë fare rreth fatit të kësaj rruge aq të rëndësishme jo vetëm për këtë rajon të vendit.
Ndërkohë, qytetarët, nga komuna e Mitrovicës dhe nga ajo e Vushtrrisë, frekuentuesit e rregullt të kësaj rruge, të mllefosur, të irrituar dhe të shqetësuar më nuk kursejnë kritikat dhe akuzat në drejtim të autoriteteve zyrtare për neglizhencën e pakuptueshme, sipas tyre. Për afate të reja, kishte njoftuar edhe në fillim të muajit mars të këtij viti ministri i Infrastukturës, Liburn Aliu.
Sipas këtij njoftimi (mars 2023), përfundimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë do të zgjasë 25 muaj, pra dy e më shumë vjet. Aliu, përmes një postimi në Facebook, kishte saktësuar se në fillim të marsit 2023 është publikuar Njoftimi Specifik për Prokurim për Shërbimet Konsulente për Rishikim të Dizajnit dhe Mbikëqyrjen e Punëve Ndërtimore në këtë rrugë dhe ka ftuar kompanitë që t’i dorëzojnë propozimet.
“Sot është publikuar Njoftimi Specifik për Prokurim për Shërbimet Konsulente për Rishikim të Dizajnit dhe Mbikëqyrjen e Punëve Ndërtimore në Rrugën N2 Prishtinë – Mitrovicë, me gjatësi 9.78 km. Shërbimet do të mbulojnë një përiudhë prej njëzet e pesë (25) muaj kalendarik nga data e fillimit ku përfshihen: 3 muaj shqyrtimin e dizajnit, përgatitjen e dosjes së tenderit, procedurat e prokurimit dhe vlerësimin e ofertave, 20 muaj periudha e mbikëkqyrjës se punimeve dhe 2 muaj periudha e finalizimit të projektit. Ftohen të gjitha Kompanitë konsulente ndërkombëtare dhe vendore të interesuara që ti dorëzojnë propozimeve e tyre.”
Tash për tash nuk dihet kostoja e përmbylljës së punëve ndërtimore në 9.78 kilometrat e mbetura të rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
Sado që ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në seancën dëgjimore lidhur me Projektligjin për buxhetin 2023, kishte thënë se buxheti i kësaj ministrie është koncentruar në projekte madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës, nuk ka përmendur fare shumën e caktuar për zgjerimin e pjesës së mbetur të magjistralës Prishtinë-Mitrovicë.
Aliu para raportimit para Komisionit për Mjedis tha se për dikasterin që udhëheq për vitin 2023 janë ndarë 251 milionë e 684 mijë e 833 euro.
“Koncentrimin e projektit 2023 e kemi bërë kryesisht në projekte madhore, të cilat duhet të përfundojnë në ato segmente të koncentruara gjatë vitit 2023… Për autostradën Prishtinë-Gjilan-Konçul për vitin 2023 janë të planifikuara 27 milionë euro, në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 5 milionë euro, për zgjëerimin e rrugës Dollc-Gjakovë në planifikimin e vitit 2023 janë paraparë 11 milionë euro, ndërsa në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 2.25 milionë euro, për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë janë paraparë 6 milionë euro, ndërsa me 2022 kanë qenë 1. 1 milionë euro. Për riparimin e rrugës rajonale Prizren-Prevallë janë paraparë 6 milionë euro për vitin 2023, kanë qenë 2 milionë euro në vitin 2022. Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Pejë kanë qenë 400 mijë euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 i kemi ndarë 4 milionë euro”, kishte saktësuar ai.
Dhe, në këtë raportim nuk shihet kund ndonjë shumë parash për koston e vazhdimit të punimeve në pjesën e mbetur të rrugës nacionale Prishtinë- Mitrovicë. Ndërkohë, i njëjti zyrtar, pra ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë të enjtën (25 maj 2023), në një emision të një televizioni të Kosovës pas ripërsëritjes për të satën herë se projekti për rrugën Prishtinë – Mitrovicë është përcjellë me probleme serioze, thotë se “brenda muajit qershor presin të fillojnë punën me procedurën e kontraktorit”.
“Jemi në fazën e prokurimi të të dyjave, pra kjo e mbikëqyrjes është bë tashmë, presim që brenda qershorit të fillojë procedura, të marrin përgjigje për mbikëqyrjen dhe brenda qershorit të fillojnë procedurën për kontraktorin. Shpresoj shumë që do të kemi një kontraktor serioz dhe këtu janë fazat më të thjeshta të prokurimit”, tha Aliu me këtë rast.
“Presim që vjeshta të jetë fillimi i punimeve, pra shtatori dhe fillim i tetorit të jetë koha kur ne e fillojmë realizimin e punëve në projektin e Mitrovicës, dhe ky e ka afatin një-vjeçar. Kjo është, keq apo mirë, kjo është situata, pra mund të akuzohemi dhe të gjitha, por kjo është situata. Në rrugën e Mitrovicës kemi punuar intensivisht dhe kemi mbërri në këtë pikë. Ka pasur telashe të shumta, mendoj që i kemi përmbyllur dhe jemi të gatshëm që të vazhdohet me këtë projekt”, deklaroi ministri Aliu.
Nga fillimi i marsit deri te fundi i majit nuk janë as tre muaj të plotë, dhe brenda kësaj kohe ministri i Infrastrukturës i Qeverisë Kurti 2, i deklaron dy afate të ndryshme, në shifra e duke përmendur vite e muaj të ndryshëm, dhe as të përafërt madje rreth përmbylljes së punëve në zgjerimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
Sipas njoftimit të Aliut të bërë në mars të këtij viti shërbimet për zgjërimin e Rrugës N2 Prishtinë – Mitrovicë, me gjatësi 9.78 km, do të mbulojnë një përiudhë prej njëzet e pesë (25) muaj kalendarik nga data e fillimit ku përfshihen: 3 muaj shqyrtimin e dizajnit, përgatitjen e dosjes së tenderit, procedurat e prokurimit dhe vlerësimin e ofertave, 20 muaj periudha e mbikëkqyrjës se punimeve dhe 2 muaj periudha e finalizimit të projektit.
Ndërkaq, në njoftimin e bërë në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1 me 25 maj 2023, Aliu tha (fjalë për fjalë) se “presim që vjeshta të jetë fillimi i punimeve, pra shtatori dhe fillim i tetorit të jetë koha kur ne e fillojmë realizimin e punëve në projektin e Mitrovicës, dhe ky e ka afatin një-vjeçar”.
Siç po shihet, këto afate, goxha të ndryshme, dhe me diferencë të madhe muajsh të planifikuar për përmbyllje të punëve të kësaj rruge, deklarohen nga numri një i ministrisë së Infrastrukturës. Duhet theksuar se rreth zgjerimit të kësaj rruge vazhdon të ketë edhe paqartësi të tjera. Ende në asnjë rast nuk është bërë publike kostoja e saktë e zgjerimit të pjesës së mbetur të Rrugës Prishtinë-Mitrovicë, përkatësisht nga Vushtrria deri në Mitrovicë, me gjatësi 9,78 kilometra.
“Për rrugën për në Mitrovicë është rregulluar çështja e shpronësimeve, ka pasur disa probleme serioze. Kjo tash është me fond nga fondi arab dhe ka mekanizëm të veçantë të realizimit të projektit. Është me njësinë e implementimit të projektit, e cila është duke u marrë. Nga autoriteti, nga fondi kanë qenë vërejtjet dhe është filluar është bërë auditim, i cili ka pas për rezultat ndërprerjen e kontratës edhe të kompanisë mbikëqyrëse edhe të kompanisë së kontraktorit”, tha të enjten ministri Aliu.
Por ai, në asnjë rast nuk shpjegoi se kush është ky fond arab, kush e menaxhon dhe e mbikëqyrë ate dhe sa është kostoja e të gjitha punëve në pjesën e mbetur të rrugës “Prishtinë – Mitrovicë. Pse të vazhdojë të ketë kaq shumë misteriozitete dhe kontradikta rreth këtij investimi publik, qoftë duke u bërë me mjete të taksapaguesve kosovarë, siç është bërë deri tash, qoftë me ndonjë fond, siç apostrofoi ministri “fondi arab”, pa e sqaruar më shumë ç’është ky fond.
Të përkujtojmë edhe pak historinë e zymtë të ndërtimit të kësaj rruge.
“Në kohën kur kanë filluar punimet në këtë rrugë (viti 2009), vetë Fatmir Limaj atëbotë ministër i Infrastrukturës së Kosovës, kishte thënë se kjo rrugë kryhet deri në vjeshtë”, është shprehur kohë më parë për medie një qytetar nga Mitrovica, që qarkullon përditë këtë rrugë. Ai ka rrëfyer edhe për vështirësitë, vonesat dhe peripecitë e shumta, që ka përjetuar gjatë këtyre 14 vjetëve gjatë qarkullimit nëpër këtë rrugë. Ndërsa, autoritetet qeveritare, këto të tanishmet, për këtë zvarritje kaq të gjatë të zgjerimit të kësaj rruge, herë kanë fajësuar punëkryesit, herë problemet e shfaqura me shpronsimet e tokave që prekë rruga nacionale Prishtinë-Mitrovicë, herë ndryshimet e mëdha të çmimeve, krahasuar me fillimin e punimeve në këtë magjistrale. Dhe, vazhdimisht duke gjetur fajtorë për dështimet në përmbushjen e afateve në kryerjen e kësaj rruge, janë përcaktuar afate të tjera të reja, të cilët, po kështu, sikundër ato të mëhershmet, së paku deri më tash, asnjëherë nuk u përmbushën dhe nuk u përmbyllën sipas përcaktimeve.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Hysen Durmishi duke folur për medie pas ndalimit të punimeve në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, që ndodhi në fillim të gushtit 2022, kishte paralajmëruar edhe për shkëputjën e marrëveshjes me kontraktorin që kishte kryer deri në këtë kohë punimet në këtë rrugë.
Durmishi kishte thënë se tani duhet të bëhet kontrata me një kontraktor të ri dhe se nuk e di sa do të zgjasë, por që “rruga duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti (2022, pra) dhe jo më herët”.
“Fillimisht bëhet prerja e punimeve nga kontraktori paraprak dhe pastaj duhet bërë kontrata me kontraktorin e ri. Nuk dihet se sa do të zgjasë. Do të bëjmë përpjekje maksimale që kontraktori i ri t’i respektojë afatet kohore të parapara në kontratë. Nuk mund të përfundohet puna para ardhjes së bashkatdhetarëve, por shpresojmë që të përfundojë brenda këtij muaji”, ishte shprehur Durmishi në një emision televiziv, me këtë rast.
Ai kishte thënë se rruga me kontraktorin e kaluar do të duhet të përfundonte në muajin prill (2022) por që kompania nuk i ka respektuar afatet.
“Rruga është dashur të përfundojë në muajin prill por që kontraktori nuk i ka respektuar afatet dhe kjo është arsyeja pse është shkëputur kontrata. Afati është 9 muaj nga nisja e punës me kontraktorin”, tha ai.
Ndërkohë, zëvendësministri Durmishi, në fillim të shkurtit të këtij viti (saktësisht me 9 shkurt 2023), përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se sot është bërë shkëputja e kontratës me kontraktorin “Pevlaku & Patishta”, i cili ishte angazhuar në projektin “Zgjerimi i rrugës nacionale “N2 Prishtinë – Mitrovicë”.
“Shkëputja e kontratës është bërë bazuar në raportin e Auditorit, me ç’rast punëdhënësi, përkitazi autoriteti kontraktues (MMPHI) dhe financuesit – bankat ndërkombëtare (SFD dhe OFID) pas shumë tentativave dhe takimeve me Kontraktorin për të gjetur zgjidhje dhe të tejkalojnë sfidat me të cilat përballeshin, Kontraktori “Pevlaku & Patishta”, nuk ka përmbushur obligimet/angazhimet e tij të përcaktuara në Minutat e Takimit, klauzola që kishin rënë dakord dhe nënshkruar më 23 Nëntor 2021, nenet e “Aneks Marrëveshjes së Kontratës” me numër MI. 10598, të nënshkruar më 23 dhjetor 2021, si dhe legalizimin e nën-kontraktorit ilegal të angazhuar që nuk lejohet sipas kontratave ndërkombëtare që janë të bazuara në FIDIC”, kishte shkruar Durmishi.
Ndërsa rruga Prishtinë – Mitrovicë, jo vetëm që nuk përfundoi në muajin prill, dhe as në fund të vitit 2022 siç deklaronte zëvendësministri Durmishi, por tani parashihen afate të tjera, të reja dhe ato janë të ndryshme dhe jo shumë të qarta për publikun kosovar. /Buletini Ekonomik/