Kosova vlerësohet ndër vendet me nivelin ekstrem të riskut për investitorët

Kosova është vlerësuar me notën më të dobët, “E”, e që i referohet nivelit ekstrem të riskut. Ndërkohë që bashkë me Kosovën janë edhe 14 shtete të tjera në të gjithë botën që janë në nivel ekstrem të riskut. Ky vlerësim është bërë nga agjencia franceze e vlerësimit të riskut “Coface”. Kjo agjenci mat riskun për faliment të biznesit, dhe shërben si një indikator për investitorët e huaj që duan të vijnë në vendet respektove, shkruan sot Koha Ditore.

Nota “C” i referohet riskut të lartë. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria është më mirë se Kosova, që merr notën më të dobët, “E”, e që i referohet nivelit ekstrem të riskut. Bosnjë-Hercegovina ndërkohë ka po ashtu një nivel të njëjtë risku me Shqipërinë, “C”. Vendet e tjera ndërkohë janë një shkallë më lartë, pranë nivelit të pranueshëm të riskut.

Asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk ka pësuar ndryshim në nivelin e riskut, sa i përket raportit të “Coface”, që i referohet tremujorit të dytë të vitit 2019. Në të gjithë Evropën vetëm niveli i riskut në Islandë është rishikuar, në rënie, paçka se mbetet në nivelin A3 e që është niveli i kënaqshëm.

Reklama e sponzorizuar

Në nivel global vetëm Norvegjia, Belgjika dhe Zvicra janë tri vendet që kanë nivelin më të ulët të riskut, duke marrë notën A.