Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Jurisprudencës për Persona Madhorë” për vitin 2018.
Ky publikim ofron të dhëna statistikore për persona madhorë, të akuzuar dhe të dënuar për vepra penale, si dhe personat e dënuar për kundërvajtje në vitin 2018.
Këto të dhëna ofrohen sipas gjinisë, nacionalitetit, mënyrës së zgjidhjes së aktakuzës, paraqitësit të aktakuzës, llojit të dënimit, etj.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se në gjykatat themelore dhe degët e tyre gjatë vitit 2018, të akuzuar për vepra penale kanë qenë gjithsej 28 mijë e 696 persona, prej tyre me aktgjykim gjykues janë dënuar 19 mijë e 721 persona.
Nga numri i përgjithshëm i të dënuarve, 1 mijë e 11 ishin femra.
Krahasuar me vitin 2017, numri i të akuzuarve në vitin 2018 është më i madh për 1 990 persona ose shprehur në përqindje për 7.4%.
Ndërsa, numri i të dënuarve është më i madh për 968 persona ose 5.2%, krahasuar me vitin 2017.








