A e dini ku e ruajnë kosovarët arin?

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta ruajnë arin në shtëpitë e tyre. Edhe pse bankat komerciale në Kosovë, në bazë të ligjit, përveç mjeteve financiare, ofrojnë mundësinë e ruajtjes së gjërave me vlerë, mirëpo deri më tani asnjë person nuk ka marrë “guximin” që arin ta sigurojë në këto institucione. Zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se deri më tani asnjë nga këto rezerva nuk mbahen në këtë institucion. Ligji e lejon BQK-në që në kushte të veçanta, konform mundësive të saj hapësinore, t’u ofrojë palëve të kualifikuara ruajtjen e artikujve (gjësendeve) në trezorë për periudha të caktuara (që mund të jenë edhe në ari apo metale të çmuara). Tarifat për këtë shërbim janë simbolike. Ndryshe, Ligji për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës i jep të drejtën e mbajtjes së rezervave ndërkombëtare të arit apo metaleve tjera të çmuara, por që momentalisht asnjërën nga këto rezerva BQK-ja nuk e mban.