Si sot një vit më parë, shtatë punëtorë të kompanisë Bechtel-ENCA ishin përballur me një situatë shumë të rrezikshme gjatë punës së tyre në autostradën “Arbën Xhaferi”, ku kishin pritur vdekjen për dy orë të bllokuar në mes të urës në Hanin e Elezit. Njëri ndër këta ish-punëtorë të kompanisë në fjalë, tash e një vit jeton bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët, me një asistencë sociale prej 105 eurosh në muaj, teksa për padinë të cilën e kanë ngritur kundër kompanisë, ata po presin përgjigje nga Gjykata e Apelit, shkruan Periskopi.
“Për dy orë e kam prit momentin e vdekjes”, thotë Sadiku teksa kujton ditën e 25 tetorit të vitit të kaluar.
“Ngjarja ka ndodhur me 25.10.2018 diku rreth orës 5 e 20, në atë kohë kemi qenë duke punu në projektin e Autostradës “Arbën Xhaferi” në përfundim të urës kah ana e Elez Hanit, dmth jemi kanë duke montu ata trajtë e betonit qata që janë 130 tonë. Ata i kanë montu, une i kam pyt në gjuhën turke, a bën me hyp në atë tranin sigurt, ata më kanë thanë hyp, kur kam arrit në gjysmë të tranit, ata e kanë lëviz diçka tranin kur kanë deshtë me ba një lëvizje pa më lajmëru mu që unë me u tërhjekë prej aty, në atë moment pastaj train veç ka nis me livrit edhe ka nis me ra poshtë, unë kam qenë i lidhur, sipër në atë robotin ka ra train, edhe ma tani nuk e kam ditë ngjarjen çka po ndodhë, e disha që jam tu ra por pritsha kur po bi në tokë, tu e prit vdekjen dhe atë moment”, shprehet ai.
Momentet gjatë qëndrimit të tij në atë rrezik ai i kishte kaluar duke i parë personat të cilët mundoheshin ta shpëtonin, gjë që e arritën rreth dy orë pasi ndodhi ngjarja.
“Ashtu kam qëndru për dy orë afërsisht, pastaj kanë ardh policia ambulancat, i shihsha une tu ardh dhe i pritsha kur po vijnë mem pshtu por ata nuk kishin qysh me ardh se pritshin me ardh do robota tjerë me lidh robotin që mos me ra poshtë, kjo ka zgjatë rreth dy orë, kur e kanë lidh e janë siguru, e kanë pru zjarrëfiksat një mobil vinq dhe më kanë marr me atë mobil-vinqin”, rrëfen Sadiku.
E personi me të cilin Sadiku ka komunikuar para se të vazhdonte punën ku do të bllokohej sipër urës ishte drejtuesi i makinerisë, i cili i kishte thënë se nuk ka asnjë problem dhe mund të vazhdonin punën.
“Ai u kanë drejtuesi i makinerisë, ai turk u kanë që e kam pyet në gjuhën turke, a mundem me vazhdu, edhe ai më ka thanë që mundem me vazhdu, nuk ka problem”, tha Sadiku për Periskopin.
Trajtimi që i ka bërë mjeku i kompanisë është vetëm njëra nga gjërat me të cilat ai nuk është aspak i kënaqur. Madje ai thotë se njëri nga personat e bllokuar ishte privilegjuar vetëm pasi ishte i nacionalitetit turk.
“Më kanë transport në ambulantë të tyre, nuk është marrë kërkush me mu, pastaj jam shku në ambulantë në Ferizaj më kanë kontrollu edhe pastaj i kam vazhdu kontrollat. Gjendja nuk ka qenë e mirë e asnjanit prej neve. Kemi qenë shtatë persona. Njëri nga ta ka qenë turk të tjerët kemi qenë shqiptar. Ka pas edhe më të lënduar në atë rast, me thyerje ma të randa edhe me humbje të vetëdijes, dmth ata i kanë nënqmu ambulanta, i ka zbrit në tokë edhe e kanë marr turkun, se shefat janë kanë turq. I kanë lanë ata pa vetëdije në tokë, e kanë marrë turkun edhe pse a i ka pasë vetëm durt e thyme, e kanë transport atë së pari herë”, thotë ai.
Megjithëse kompania nuk i ka ofruar ndihmë, ai pas dy ditësh të aksidentit ka shkuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për kontrolla të mëtutjeshme, ndërsa përgjigja që i kishte dhënë mjeku i Bechtel-ENCA-s kur i kishte dorëzuar dokumentacionin për kompensim, e kishte shqetësuar shumë Sadikun.
“Kompania nuk është përkujdes për neve, veç çka kemi shku privat vet. Në spital në Prishtinë jam shku mas dy dite se kam pas trauma, i kam thirr për me ju kërku kerrin mem qu në spital në Prishtinë, nuk ma kanë qu nuk janë marrë hiq me neve. Na kanë thanë shko shërou ti, na i bjen letrat neve na ta pagujmë shpenzimet e barërave. Unë kur ia kam qu letrat, doktori i firmës më ka thanë “ma mirë me dekë se që mi ke pru letrat”, se sigurisht firmës i ka ardh pak mundim kur e kemi paditë na”, rrëfen Sadiku për Periskopin.
Padia e cila është ngritur nga zyra e avokat Sabri Kryeziut si përfaqësues i katër personave të lënduar gjatë këtij aksidenti tashmë është në Gjykatën e Apelit.
Sipas avokatit Kryeziu, për çështje procedurale, lënda është në Gjykatën e Apelit, ndërsa me njërin nga katër të lënduarit tashmë është arritur një marrëveshje.
“Ajo është landë në procedurë gjyqësore, zyra jonë i përfaqëson katër të lëndum, me njërin prej tyre dhe kompaninë Bechtel-Enca kemi arrit me arrit marrëveshje për kompensim, me tre të tjerë është në procedurë e sipër, për qashtje procedurale, landa është në gjykatën e apelit. Kompania Bechtel Enca ka shpreh gatishmëri vazhdimisht jemi në komunikim me ta, me zjgidh këtë qështje me marrëveshje sikurse me njërin tani jemi në pozicionet duke i vlerësu kërkesat e ofertat në raport me kërkesat edhe mundësitë. Kemi arrit marrëveshjen aq sa është ekuivalenca e mundshme për lëndimet që i ka pësu”, tha avokat, Sabri Kryeziu për Periskopin.
Derisa Gjykata e Apelit të merr një vendim, apo derisa të arrihet një marrëveshje me kompaninë, Përparim Sadiku po vazhdon të jetoj me 105 euro në muaj, me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre.
“Unë nuk punoj më prej asaj dite. Prej familjes nuk punon askush, kujdesen vëllaznia për mu, se jemi të ndamë. Unë jetoj me shoqen edhe dy djemtë, njani 10 vjet e tjetri 5 vjet. I madhi shkon në shkollë e i vogli hala jo. E kemi një asistencë sociale 105 euro deri tash veç me qata jemi tu u baravatë”, tha Sadiku.