Morgan: Stabiliteti i Kosovës është parakusht për tërheqjen e investimeve të huaja

Zyrtari ekonomik rajonal në Zyrën për Çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore të Departamentit Amerikan të Shtetit, Robert Morgan, ka thënë se stabiliteti i Kosovës është parakusht esencial për tërheqjen e investimeve të huaja.

Sipas tij, edhe vazhdimi i dialogut me Serbinë është nevojë për rritjen ekonomike të vendit. Këto komente Morgan i ka bërë në një takim që të enjten e ka zhvilluar me përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane (OEA) në Kosovë, me biznese – anëtarë të kësaj ode.

Në këtë takim Morgan thuhet se e ka inkurajuar OEA-në që të përdorë ndikimin e saj për të nxitur qeverinë e ardhshme të ndërmarrë hapa konkretë në përmirësimin e sundimit të ligjit dhe të mjedisit afarist.

Reklama e sponzorizuar

Në një komunikatë të OEA-së thuhet se marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, fuqizimi i sundimit të ligjit, luftimi i korrupsionit dhe rritja e stabilitetit të Kosovës dhe tërë rajonit janë kyç për rritjen e investimeve amerikane. Në takim me udhëheqësit afaristë të Odës Amerikane, zyrtari i Departamentit të Shtetit, citohet të këtë thënë se stabiliteti është esencial për tërheqjen e investimeve.

“Edhe vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është nevojë për rritjen ekonomike”, ka thënë zyrtari amerikan.

Në komunikatën e OEA-së thuhet se Morgan ka theksuar edhe faktin që shumë biznese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pak informata rreth Kosovës.