‘Ndikimet’ tek Rregullatori: Tre njerëzit më të fuqishëm në ZRRE dikur punuan në KEDS

Tre zyrtarët më të fuqishëm për momentin në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Petrit Pepaj, Drejtor Menaxhues dhe anëtarët e Bordit, Selman Hoti e Izet Rushiti, në të kalurën kanë punuar në Kompaninë për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).

Petrit Pepaj dhe Izet Rushiti kanë qenë që të dy menaxherë të lartë në KEDS. Pozitë të menaxherit në kompaninë turke kishte pasur edhe Selman Hoti.

ZRRE-ja në bazë të ligjit është institucioni i vetëm i cili ka për detyrë të rregullojë aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, përfshirë këtu edhe ato të kompanisë turke KEDS, e cila e privatizoi Distribucionin e Energjisë në vitin 2012.

Reklama e sponzorizuar

Buletini Ekonomik ka pyetur në ZRRE për mundësinë e konfliktit të interesit në këtë rast.

Zyrtarja për marrëdhënie me publikun në ZRRE, Adelina Murtezaj, sa i përket dy anëtarëve të bordit që dikur kishin punuar zyrtarë të lartë në KEDS, ka thënë se çështja e konfliktit të interesit është e sqaruar, por pa u lëshuar në detaje nëse për këtë ka pasur ndonjë vendim.

„Për këto pozita kërkohet përvoja prej së paku 10 vitesh në sektor“, ka thënë Murtezaj duke aluduar në faktin se të dy anëtarët e bordit e kanë pasur këtë përvojë kur kanë marrë detyrën.

Ngjashëm ajo ka arsyetuar edhe emërimin e Petrit Pepajt si Drejtor Menaxhues, i cili po ashtu një kohë kishte punuar si menaxher i lartë në KEDS.

„Po ashtu në konkursin e shpallur nga ZRRE në vitin 2015, për pozitën e Drejtorit Menaxhues, është kërkuar që kandidati të ketë së paku 10 vite përvojë në sektorin e energjisë, nga to 5 vite të jenë në pozita menaxheriale. Duke marrë parasysh këto, është e pa mundur që të krijohet ndonjë rrethanë e konfliktit të interest“, ka thënë ajo.

Të dy këta ish-menaxherë ishin emëruar anëtarë të bordit të ZRRE-së, ani pse kundër emërimit të tyre kishin dalë edhe britanikët. Ata kishin konstatuar se ishin të pakualifikuar për të qenë anëtarë të saj.

Por pavarësisht vërejtjeve, Kuvendi i Kosovës në mars të vitit 2018, kishte votuar për emërimin e Selman Hotit dhe Izet Rushitit.

Të dy anëtarët e ri të ZRRE-së ishin vlerësuar me pikë minimale krahasuar me katër kandidatët e tjerë nga komisioni vlerësues në të cilin bënte pjesë edhe partneri i Ambasadës Britanike. /Buletini Ekonomik/